Berisha përshëndet fillimin e dialogut Prishtinë-Beograd
Prishtinë, 8 mars - Kryeministri Sali Berisha përshëndeti të martën fillimin e dialogut për çështje teknike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me lehtësimin e BE-së dhe mbështetjen e qeverisë së SHBA-ve.
Kryeministri Sali Berisha përshëndet fillimin e dialogut midis dy vendeve, si një proces i domosdoshëm për konsolidimin e pavarësisë, integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por, gjithashtu, si një proces që kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Zgjidhja nga shteti i lirë dhe i pavarur i Kosovës i të gjitha problemeve, me fqinjët në tërësi dhe Serbinë në veçanti, ka rëndësi parësore në konsolidimin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, fuqizimin e rolit të saj në bashkëpunimin, integrimin rajonal, europian dhe euroatlantik, deklaroi Berisha.
Gjithashtu, kryeministri Berisha përshëndet edhe angazhimin e zyrës së Baroneshës Ashton, në lehtësimin e dialogut, si dhe mbështetjen e qeverisë së amerikane, si një kusht i domosdoshëm për ecurinë pozitive dhe suksesin e bisedimeve.