Berisha në OKB: Serbia të heq dorë nga veriu

New York, 25 gusht - Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në fjalimin që mbajti në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, vuri në dukje arritjet e vendit të tij, si një prej pak vendeve të botës, ekonomia e së cilës i ka mbijetuar krizës aktuale ekonomike në botë dhe nuk rrëshqiti në recesion.
Ai tha se Shqipëria është një vend demokratik, me zgjedhje të lira, shtyp të lirë, respekton të drejtat e pakicave dhe ato fetare si dhe respekton shtetin juridik.
Berisha theksoi se një prej përparësive kryesore të qeverisë së tij është lufta kundër korrupsionit. Kryeministri shqiptar e vuri theksin edhe tek marrëdhëniet e mira që Shqipëria ka me shumë vende të Evropës dhe botës.
Lidhur me Kosovën, kryeministri Berisha bëri thirrje që edhe shtete të tjera të njohin pavarësinë e saj, si një faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe paqes në rajon.
Ai tha se Shqipëria mbështet qeverinë e Kosovës për të shtrirë respektimin e ligjin në të gjithë vendin, përfshirë edhe veriun e tij.
Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare se raporti i senatorit zviceran Dick Marti ka akuza të pabazuara, madje e krahasoi raportin e zotit Marti me raportin e kryeprokurorit të krimeve të luftës në Serbi, Vukçeviç.
Lidhur me çështjen më të mprehtë të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shtetin palestinez, kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare mbështet plotësisht idenë e një Palestine të pavarur, por ai u bëri thirrje palestinezëve që të vazhdojnë bisedimet me Izraelin në bazë të nismës së re të Kuartetit për paqen në Lindjen e Mesme.