Berisha në 21 vjetorin e PD, ndihet keq, ndërpret fjalimin
Tiranë, 12 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha është detyruar të ndërpresë fjalimin e tij në ceremoninë e 21-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike (PD), pasi nuk është ndier mirë dhe ka shfaqur dobësi fizike.
Ndërsa gjatë fjalimit të tij shfaqi herë pas herë shenja dobësie kryeministri Berisha është ndier keq në mbyllje të fjalës së tij , duke kaluar më pas në gjendje të debolese.
Menjëherë pas kësaj situate të paqartë të krijuar në ambjentet festive të Pallatit të Kongreseve ka marrë fjalën kryetarja e Kuvendit e cila ka siguruar se gjendja shëndetësore e kryeministrit është normalizuar pas një gjendje të fikëti nga virozat e stinës.
Ndërkaq edhe Zyra për shtyp e Kryeministrit ka sqaruar se zoti Berisha është mirë ndërsa është shoqëruar për në banesën e tij. Sipas njoftimit zyrtar thuhet se kryeminstri Berisha pati nje gjendje lodhjeje në përfudim të fjalës se tij me rastin e 21 vjetorit të PD-së.
Pas nje konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie(debolese), e lidhur me një virozë për të cilën kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjeksore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar-thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga zyra për shtyp e kryeministrit Berisha.
Para se të ndërpriste fjalimin, kreu i qeverisë ka folur për krijimin e Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si ngjarjen më madhore në vitin 1990.
Festojmë sot krijimin e partisë së parë pluraliste në Shqipëri. Në vitin 1990 studentët e Tiranës, të udhëhequr nga tribuni Azem Hajdari do të mblidheshin me një kurajë të pashoq dhe do të gjunjëzonin në rrugë dhe kudo diktaturën komuniste më të egër në Evropë dhe do të themelonin Partinë Demokratike
Por viti 90, sipas kryeministrit, nuk është vetëm viti i themelimit të PD, por edhe i lirive dhe të drejtave të njeriut, që sot garantohen me Kushtetutë.
Por viti 90 është edhe ditëlindja e lirive, kështu që sot ne nuk festojmë thjesht datën e themelimit të një partie, por ne kemi ditëlindjen e dytë, atë të lirive, ndërsa kombi ynë feston ngjarjen më të madhe në historinë e tij që nga 28 nëntori i 1992, pohoi Berisha.
Kryetari i padiskutueshëm i PD theksoi se, sot Shqipëria është një vend i fjalës së lirë, votës së lirë, tolerancës fetare, i respektimit të plotë të të drejtave të minoriteteve, si dhe një shtet ku funksionojnë shteti ligjor e rendi kushtetues.