22 Dhjetor 2024

Berisha: NATO solli lirinë në Kosovë

Tiranë, 12 qershor - Në përvjetorin e 11-të të ndërhyrjes së NATO-s për çlirim e Kosovës, kryeministri Sali Berisha, teksa e ka përkujtuar këtë datë historike, u shpreh se sot Kosova është një nga vendet më të sigurta në rajon.

"11 vjet më parë forcat tokësore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas një fushate rreth tre mujore të sulmeve ajrore, hynë në territorin e Kosovës dhe çliruan atë nga një regjim barbar çnjerëzor që shkatërroi mbi 20 mijë jetë njerëzore dhe rrafshoi mbi 130 mijë banesa, shkolla, spitale dhe kopshte", tha Berisha gjatë një konference shtypi.

"Me sulmin ajror dhe tokësor të Aleancës së Atlantikut të Veriut, kjo aleancë fitoi një dimension të ri në historinë e saj, dimensionin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Kosovë dhe në tërësi", tha Berisha.

Ai shprehu mirënjohjen ndaj ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s, qeverive të tyre dhe ish-presidentit të SHBA-së, Bill Klinton, që udhëhoqi Aleancën me një betejë vendimtare për lirinë e shqiptarëve, për paqen dhe sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Evropë".

Çlirimi i Kosovës, tha Kryeministri Berisha, "erdhi si rezultat i një lufte, trimërie, vetmohimi dhe sakrifice të qytetarëve të Kosovës, që në një betejë shumë të pabarabartë u angazhuan për liri dhe dinjitet".

"Ata ia dolën të pushtojnë mendjen dhe zemrën e kombeve të qytetëruara. Ata ia dolën që me qëndresën, sakrificën dhe vetmohimin e tyre të sigurojnë mbështetjen e Aleancës më të madhe të lirisë së të gjitha kohërave", tha Kryeministri Berisha.

Sot pas 11 vitesh, ai shprehu bindjen se "çdo qytetar i vendeve anëtare të NATO-s, qeveritë dhe ushtritë e këtyre vendeve ndihen krenarë pasi Kosova nga vendi më i rrezikshëm dhe më i pasigurtë në Europë, falë kësaj ndërhyrje, pranisë së KFOR-it dhe përkushtimit të madh të autoriteteve të Kosovës dhe qytetarëve të saj është shndërruar në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë".

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)