22 Dhjetor 2024

Beogradi S'ka kapacitete të bisedojë për statusin e Kosovës

Prishtinë, 6 qershor - Rreth veriut të Kosovës, Trajkoviç, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ajo pret “të udhëhiqet një politikë pragmatike dhe strategji, e cila do të rezultonte me diçka që do të nënkuptonte një proces integrues të heshtur, jo të dhunshëm të veriut të Kosovës”.

Sa i përket zgjedhjeve serbe në veri, Trajkoviç ka thënë se ato nuk paraqesin realitetin në terren, sidomos, kur bëhet fjalë për luajtjen me shifrat e pjesëmarrjes. Ajo çka është reale, sipas Trajkoviç, është se partitë nacionaliste po humbin në këtë hapësirë.

“Partia Radikale Serbe dhe disa liderë, siç thuhet, janë zhdukur si opcione të serbëve, që në veri përkrahen. Kjo përfundimisht flet se veriu i Kosovës, megjithatë, është duke shkuar në drejtimin, që në fakt, nënkupton demilitarizimin e mendjes”, ka thënë Trajkoviç.

Ndërkaq, sa i përket zgjedhjeve që do t’i organizojnë institucionet e Kosovës në komunat e veriut, Trajkoviç mendon se edhe në këto zgjedhje do të ketë një përqindje të serbëve që do t’iu përgjigjen.

“Unë pres që një përqindje e serbëve gjithsesi do të paraqitet në zgjedhje, pavarësisht kampanjës, e cila do të udhëhiqet. Por, mendoj se çështja e veriut të Kosovës do të zgjidhet ndoshta edhe me diçka që nënkupton që bashkësia ndërkombëtare dhe zyra e ICO-së të pranojë bisedimet, varësisht nga kombinimi paszgjedhor në veri të Kosovës. Nëse ajo do të jetë e gatshme për bisedime dhe bashkëpunim, ndoshta do të pranohet që procesi, do të thosha i një forme të integrimit të veriut të Kosovës, do të fillojë të zhvillohet përmes tyre.

Ndërkaq, në mënyrë paralele, nuk besoj që do të heqin dorë nga diçka që nënkupton zgjedhje sipas projekteve të tyre dhe në atë mënyrë të kenë, siç thuhet, përfaqësuesit transparentë, me të cilët do të punohet, por, gjithsesi edhe pjesëmarrja jotransparente, si dhe bisedat dhe marrëveshjet me ata, të cilët kanë dalë nga këto zgjedhe serbe.

Kështu që, unë pres që në fakt do të udhëhiqet një politikë pragmatike dhe strategji, e cila do të rezultonte me diçka që do të nënkuptonte një proces integrues të heshtur, jo të dhunshëm të veriut të Kosovës”, tha Trajkoviç.

Kurse, rreth përfoljeve të fundit për bisedimet mes Kosovës e Serbisë, Trjakoviç tha se Beogradi nuk ka kapacitete që të negociojë për statusin e Kosvës. Ajo sygjeron që energjia të orientohet drejt lobimit për një raportim sa më të mirë të Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë.

“Do të përpiqesha që përmes tij të marrim diçka që nënkupton ‘tapinë’, të cilën nuk do ta komprometoja me hyrjen e menjëhershme, me zgjidhjen ose vënien e sërishme në tavolinë të zgjidhjes së statusit të Kosovës, por do të punoja në forcimin e kapacitetin shtetëror të Serbisë, në kuptimin ekonomik dhe të sigurisë dhe të procesit integrues drejt Bashkimit Evropian dhe gjithsesi drejt NATO-s.

Ndërkohë, do të punoja për bisedimet teknike në hapësirën e Kosovës, në mënyrë shumë konstruktive, duke marrë pjesë në të gjitha proceset dhe zgjidhjet që nënkuptojnë zgjidhje të çështjeve teknike, siç janë energjia elektrike, telefonia, tregtia dhe një numër i madh i çështjeve, të cilat bashkërisht duhet t’i zgjidhim. Në këtë moment, të hysh në zgjidhjen e statusit të Kosovës, sikur edhe të kishim mbështetjen e disa vendeve të fuqishme që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kjo do të ishte huqje e tërësishme.
Serbia, në këtë moment, në masë të madhe është e kushtëzuar me projekte financiare dhe me proceset integruese evropiane dhe do t’i duhet që të bëjë kompromise, të cilat me siguri se nuk do të sillnin diçka që do të nënkuptonte esencialisht mundësinë e kthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë”, shton Trajkoviç.

Nëse do të ketë autonomi për serbët e veriut, ajo mendon se, në radhë të parë, nuk duhet ngutur me vendime të shpejta. Sipas saj, me rëndësi është që të zgjidhet me një marrëveshje të padhunshme, ku do të ruhej struktura etnike e popullatës, por se, kjo marrëveshje të bëhet domosdo me pjesëmarrjen e Beogradit.

“Çfarëdo vendimi i shpejtë, me siguri do të sillte një eksod të ri të serbëve në veri, gjë që me të vërtetë do ta sillte hapësirën esenciale të Kosovës në diçka që është qasje mono-etnike, ose zgjidhje e fundme për Kosovën. Prandaj, mendoj se interesi i përbashkët i serbëve në Kosovën qendrore dhe atë veriore, është para së gjithash mbijetesa e serbëve në këto hapësira.

Kjo nënkupton që serbët në enklava dhe aty ku i kanë fituar strukturat e veta komunale, të punojnë në forcimin dhe fuqizimin e këtyre strukturave. Ndërkaq, serbët në veriun e Kosovës, jo për hir të Prishtinës dhe shqiptarëve të Kosovës, por për shkak të serbëve që jetojnë tej lumit Ibër dhe për shkak të Kishës Ortodokse Serbe, duhet ta kuptojnë që një formë e lidhjeve institucionale me Prishtinën me të vërtetë është e nevojshme, para së gjithash, në sferën e institucioneve të pushtetit të ligjit, që nënkupton gjyqësinë, policinë dhe doganat”, ka thënë Rada Trajkoviç për Radion Evropa e Lirë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)