Beogradi mohon mundësinë e takimit Tadiq-Thaçi

Beograd, 19 shtator - Kabineti i presidentit serb, Boris Tadiq, ka hedhur poshtë shkrimin e së përditshmes Zëri, se në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mund të ndodhë takimi i Tadiqit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
\"As nuk është planifikuar, as nuk është e mundur, as nuk do të ketë takim ndërmjet Tadiqit dhe Thaçit, u është thënë medieve serbe nga kabineti i presidencës së Serbisë.
Zëri ka shkruar se vizita e Thaçit në Nju Jork mund të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes për largimin e barrikadave rrugore në veri të Kosovës.
Një marrëveshje e tillë, sipas gazetës, mund të arrihet pas takimit me Tadiqin dhe nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.