Belgjika të mërkurën nis kthimi i azilantëve
Beograd, 8 mars - Autoritetet belge lajmëruan se prej 10 marsit do të nisë kthimi i organizuar i të gjithë azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia. Ambasadorja belge në Beograd, Deniz de Hauver ka thënë se azilkërkuesit nga këto dy vende i kanë krijuar problem Belgjikës.
"Kthimin e parë do ta organizojmë të mërkurën, më 10 mars, kur autobusët me personat, të cilët në Belgjikë kanë kërkuar azil do të nisen për në Serbi, në shoqëri të përkthyesve dhe pjesëtarëve të shërbimeve belge të migracionit dhe Belgjika do t'i bartë të gjitha shpenzimet e rrugës", deklaroi ajo për Radion Evropa e Lirë. Po në të njëjtën ditë do të nisë edhe kthimi i azilkërkuesve nga Maqedonia.
Ndërkohë, komiteti për ndjekjen e situatës për azilkërkuesit nga Maqedonia, që u formua pak ditë më parë nga Qeveria ka konstatuar se është zvogëluar numri i shtetasve të Maqedonisë që kërkojnë azil në vendet e BE-së. Në mbledhjen e parë të këtij komiteti, anëtarët kanë konstatuar se largimi i qytetarëve kryesisht shqiptarë drejt Belgjikës ishte si pasojë e dezinformimit dhe manipulimit.
Ndërsa inspektorati, duke kërkuar shkaktarët e eksodit ka mbyllur dy agjenci turistike nga Shkupi, të cilat kanë punuar pa licencë. Agjencitë turistike Sky Vim AB dhe Jashku Jashar u mbyllën dy ditë më parë pasi kanë punuar pa licencë. Agjencia Skaj Vim AB ka qenë pronë e vëllait të deputetit rom Ambi Bajram, ku edhe ky i fundit u akuzua se ka organizuar transportimin e romëve për në Belgjikë. Deputeti Amdi Bajram, i hodhi poshtë akuzat, duke u mbrojtur se nuk qëndron pas organizimit të largimit të qytetarëve për në vendet e BE-së.
Pas liberalizimit të regjimit të vizave me vendet e Shengenit më 19 dhjetor të vitit 2009, Belgjika u përball me numër të rritur të kërkesave për azil nga shtetasit e Maqedonisë. Të hënën në Maqedoni do të vijë edhe kryeministri i Belgjikës.
Një valë e romëve të mashtruar u nisën drejt Suedisë
Rreth një mijë romë, kryesisht nga Serbia, por edhe një pjesë nga Maqedonia dhe Mali i Zi, kanë arritur me autobusë në Suedi. Ata janë mashtruar dhe kanë besuar se kanë të drejtë për benefite sociale dhe leje qëndrimi, por askush prej tyre nuk mund të qëndrojë në Suedi, shkruan gazeta ditore suedeze "Svenska dagblladet".
Mbërritja e shpeshtë e autobusëve në Geteborg dhe Malme, të cilët i transportojnë romët nga Ballkani, e shtynë Entin suedez të migracionit të ndërmarrë masa adekuate."Bëhet fjalë për agjenci udhëtimesh, pas të cilave qëndrojnë afaristë të pafytyrë, të cilët i mashtrojnë njerëzit të cilët janë të përballur me probleme sociale", thotë Dan Eliason, drejtor i përgjithshëm i Entit suedez të migracionit.