BE vështirëson liberalizimin për Kosovën
Prishtinë, 9 mars - Me gjithë dëshirën për të thënë se detyrat e shtëpisë për liberalizimin e vizave për Kosovën do të jenë të njëjta me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, versioni fillestar i Udhërrëfyesit të Kosovës ka nxjerrë në shesh një të vërtetë krejt tjetër.
Një analizë e bërë nga qeveria e Kosovës e siguruar nga Zëri numëron jo pak dallime mes udhërrëfyesve që i kanë pasur vendet e rajonit dhe atij që po diskutohet momentalisht mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së.
Që në faqen e parë të analizës qeveritare të emërtuar Dallimet dhe risitë në draft-udhërrëfyesin e 14 shkurtit 2012, vlerësohet se dallimet janë substanciale me udhërrëfyesit e vendeve të tjera, por edhe me atë që e kanë hartuar vetë institucionet e Kosovës disa vjet më parë.
Për dallim nga udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave (ULV) të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, drafti i 14 shkurtit ka dallime substanciale edhe në përmbajtje, të cilat do t`i shqyrtojmë më poshtë, është vlerësimi i bërë nga zyrtarët qeveritarë që e kanë analizuar draftdokumentin evropian.
Analiza shtatëfaqeshe e qeverisë ndër të tjera përmend edhe atë që është nënvizuar edhe nga Zëri në raportin e së enjtes, është blloku numër tre që flet për luftën kundër korrupsionit.