BE sot mban takim për dëbimin e romëve
Bruksel, 16 shtator - Takimi i udhëheqësve të vendeve të BE-së që fillon sot në Bruksel rrezikohet të mbetet peng i kundërshtive me Francën lidhur me dëbimin e romëve.
Franca i cilësoi të papranueshme komentet e eurokomisioneres për drejtësi, Vivian Reding, që krahasoi dëbimin e romëve me persekutimin nazzit të këtij grupimi gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti francez Nicolas Sarkozy reagoi ashpër pasi një zyrtare e BE-së e krahasoi dëbimin e Francës me atë të romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Komisionerja për Drejtësinë, Viviane Reding kërcënoi gjithashtu Parisin zyrtar me aksione ligjore.
Liderët e BE-së do të diskutojnë gjithashtu për mënyrat se si të parandalojnë një krizë të re financiare.
Gjithashtu, ata do të përpiqen të koordinojnë përpjekjet e tyre ndaj fuqive të mëdha që po fitojnë terren si Kina dhe India.
Ky nuk ishte parashikuar të ishte një samit për romët, por presidenti Sarkozy duket i vendosur për të vazhduar ofensivën e tij në Bruksel, për të mbrojtur reputacionin e Francës si shtëpia e të drejtave të njeriut.
Kryeministri francez, Fransua Fillon, ka kërkuar nga BE-ja që të trajtojë urgjentisht çështjen e romëve që vinë në vendet perëndimore të Unionit pa pasur mbështetjen minimale financiare.
"Krahasimi me Luftën e Dytë Botërore është i pabesueshëm, i paimagjinueshëm dhe skandaloz. Nuk ka bazë për gjykime të kësaj natyre lidhur me politikat e një shteti. Ka fakte e le t'i mbetemi besnik fakteve, pasi ato dëshmojnë se Franca respekton tërësisht ligjet franceze dhe ato të BE-së", tha Fillon.
Mbi 8000 romë, kryesisht nga Rumania e Bullgaria, vende anëtare këto të BE-së, janë dëbuar nga Franca që nga fillimi i këtij viti.