BE përshëndet idenë e Beneluksit Ballkanik
Bruksel, 18 korrik - Bashkimi Evropian ka përshëndetur idenë e formimit të Beneluksit Ballkanik, një ide e hedhur nëpërmjet një analize në EuObserver.
Petar Stano, zëdhënës i eurokomisionerit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle ka deklaruar se BE përshëndet idenë për formimin e të ashtuquajturit Beneluksi Ballkanik, apo bashkimi ekonomik dhe politik i Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, që do të ndikonte për bashkëpunim më të shtuar dhe marrëdhënie midisë vendeve të këtij rajoni.
Ne absolutisht jemi për çdo lloj bashkimi apo veprimi të përbashkët të vendeve, veçmas që tanimë kemi shembull pozitiv me formimin e Grupit të Vishegradit dhe Beneluksit, që kishte ekzistuar më parë. Në rastin e formimit të një Beneluksi Ballkanik do të kontribuohej për zhvillim më të madh të këtij rajoni dhe për bashkëpunimin ekonomik dhe politik midis vendeve, ka deklaruar Stano, i pyetur nga agjencia shtetërore e Maqedonisë MIA.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i eurokomisionerit Fyle ka hedhur poshtë mundësinë se këto vende që do të jenë pjesë e kësaj nisme do të mund të anëtarësohen në pako në Bashkimin Evropian. Hyrja në BE varet nga specifikat e çdo shteti në veçanit dhe arritjet në plotësimin e detyrimeve të BE-së, deklaroi Stano.
Ideja e Beneluksit Ballkanik ka nxitur debate në rajon, duke shfaqur mendime dhe vlerësime kontradiktore. Derisa ky projekt është përkrahur nga qarqe qeveritare shqiptare në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, zyrtarët shtetëror maqedonas dhe ata të Serbisë kanë shprehur doza dyshimi dhe kundërshtimi, duke nënvizuar se bëhet fjalë për projekt me prapavijë Shqipërinë e Madhe.