27 Dhjetor 2024

BE përkohësisht ndal presionin ndaj Kosovës e Serbisë

Bruskel, 22 korrik - Bashkimi Evropian ka hequr dorë përkohësisht nga presionet ndaj Kosovës dhe Serbisë sa i përket dialogut.

Zyrtarët e Brukselit nga gushti fillojnë pushimet dhe në këtë mënyrë Serbia dhe Kosova do të mund të \"rrinë rehat\" për një kohë, ndonëse raundi i fundit i dialogut ka dështuar dhe është shtyrë si rezultat i mosgatishmërisë së Beogradit që të pranojë vulat e Doganave të Kosovës.

Veprimi i Serbisë, përveçse ka çuar në shtyrjen e dialogut, ka bërë që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për bllokimin e mallrave të Serbisë dhe të hyjë në listën e shteteve që i thyejnë rregullat e CEFTA-s, gjë që Serbia e ka bërë për vite të tëra.

\"Nëse keni pasur një avantazh moral, tashti jeni në nivel të njëjtë. Këtu ka mirëkuptim për veprimin e Kosovës, por Brukseli nuk do dhe ndonjë krizë që është shkaktuar pa dashje. Ndaj edhe nuk besohet se do të ketë ndonjë veprim deri në shtator. Nëse palët kanë ndonjë ide të mirë, ne jemi të gatshëm të dëgjojmë, në të kundërtën, gjithçka mbetet për shtator\", është shprehur, një zyrtar i lartë evropian.

Sipas të njëjtit burim, palët do të takohen në fillim të muajit shtator dhe deri atëherë palëve u është sugjeruar që të reflektojnë për qasjen e tyre dhe për mënyrën se si duan që të procedojnë më tutje.

\"Ajo që ne kemi bërë është informimi i shkruesve të raporteve të progresit\", ka tërhequr vërejtjen ky zyrtar evropian. \"Nëse marrëveshja nuk është arritur të mërkurën, atëherë duhet të arrihet në shtator\", ka thënë burimi.

Vazhdimin e dialogut në shtator e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançic.

\"Lehtësuesi Cooper e ka bërë të qartë se procesi nuk është ndalur dhe se ne do të vazhdojmë të punojmë me palët në mënyrë që marrëveshjet të arrihen. Në këtë pikë jemi ende. Në e kemi parë vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës dhe po e studiojmë. Vazhdimisht e kemi thënë se vendimet unilaterale nga palët nuk i zgjidhin problemet. Ajo që duam të shohim janë marrëveshjet mes palëve\", ka thënë zëdhënësja Kocijançic.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)