BE paralajmëron sanksione kundër Rusisë
Bruksel, 8 shkurt - Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borell, tha se Rusia nuk dëshiron të "shfrytëzojë rastin" për të pasur një dialog konstruktiv me BE-në, për çka "duhet të nxirren pasojat''.
Borell bëri këto komente pasi vizitoi Moskën në datat 4-6 shkurt, një udhëtim që ai e vlerësoi si të komplikuar dhe tha se diskutoi "gjendjen e tensionuar në marrëdhëniet BE-Rusi", duke shtuar se marrëdhëniet u përkeqësuan më tej me arrestimin dhe dënimin e Alexey Navalny-t, si dhe arrestimet e mijëra demonstruesve që e mbështesin atë.
"Qëllimi i këtij misioni ishte të shprehte drejtpërdrejt dënimin e fuqishëm të BE-së për këto ngjarje dhe të adresonte, përmes diplomacisë parimore, procesin e një përkeqësimi të shpejtë të marrëdhënies sonë me Rusinë, si dhe të ndihmojë në përgatitjen e diskutimeve të ardhshme të Këshillit Evropian për marrëdhëniet BE-Rusi", tha ai duke iu referuar samitit të BE-së të planifikuar për në muajin mars.
Duke theksuar një konferencë për media të organizuar në mënyrë agresive dhe dëbimin e tre diplomatëve të BE-së gjatë vizitës së tij në Rusi, Borell tha se këto ishin tregues se Rusia nuk dëshiron të përfshihej në një dialog më konstruktiv me BE-në.
Ai gjithashtu tha se situata nuk ishte e papritur, megjithatë shtoi se është për të ardhur keq edhe nga "një perspektivë e strategjisë ruse".
"Si BE, ne do të duhet të nxjerrim pasojat, të reflektojmë me kujdes mbi drejtimin që duam t'i japim marrëdhënieve tona me Rusinë dhe të vazhdojmë në një mënyrë të bashkuar me vendosmëri", theksoi ai.
Duke deklaruar se temat thelbësore të takimit të tij me kryediplomatin rus Sergej Lavrov ishin të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe veçanërisht çështja Navalny, Borell tha:
"Disa herë diskutimi me homologun tim rus arriti nivele të larta të tensionit, pasi unë bëra thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të z. Navalny-t, si dhe një hetim të plotë dhe të paanshëm të përpjekjes për vrasjen e tij", theksoi Borell.
Duke deklaruar se ai mësoi për dëbimin e diplomatëve të BE-së përmes mediave sociale në fund të takimit të tij me Lavrov-in, Borell tha se i kujtoi homologut të tij rus detyrimet e vendit të tij në fushën e të drejtave të njeriut nën angazhimet ndërkombëtare.
Borell tha se BE-ja dhe Rusia kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, duke përfshirë Bjellorusinë, Ukrainën, Gjeorgjinë, Sirinë dhe Libinë.
Ai tha se zhvillimi i shoqërisë ruse dhe zgjedhjet gjeostrategjike të vendit ishin shqetësuese.
"Takimi im me ministrin Lavrov dhe mesazhet e dërguara nga autoritetet ruse gjatë kësaj vizite konfirmuan se Evropa dhe Rusia po largohen. Duket se Rusia gradualisht po shkëputet nga Evropa dhe po shikon vlerat demokratike si një kërcënim ekzistencial", tha Borell.
"Ne jemi në një udhëkryq. Zgjedhjet strategjike që ne bëjmë tani do të përcaktojnë dinamikën ndërkombëtare të fuqisë në shekullin 21, dhe veçanërisht, nëse do të përparojmë drejt modeleve më bashkëpunuese ose më të polarizuara, bazuar në shoqëri të mbyllura ose në shoqëri më të lira", tha ai.
Borell theksoi se marrëdhëniet BE-Rusi do të diskutohen në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së më 22 shkurt dhe tha se vendet anëtare do të vendosin hapat e ardhshëm, të cilat mund të përfshijnë sanksione.
"Nëse duam një botë më të sigurt për nesër, duhet të veprojmë me vendosmëri sot dhe të jemi të gatshëm të ndërmarrim disa rreziqe," tha ai.
- Alexey Navalny
Në tetor të vitit 2020, BE vendosi sanksione ndaj gjashtë individëve dhe Institutit Shtetëror të Kërkimit Shkencor për Kimi Organike dhe Teknologji në Rusi në lidhje me pretendimet për përfshirjen e tyre në helmimin e liderit opozitar rus Alexey Navalny.
Masat kufizuese të miratuara përmbajnë ndalesë të udhëtimit në BE dhe ngrirjen e pronave për individët dhe institutin.
44-vjeçari Navalny, një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht në një fluturim për në Moskë. Pas një zbarkimi emergjent në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim.
Pas kryerjes së testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë njoftuan se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, i cili sipas qeverisë britanike u përdor edhe në sulmin e vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.
Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje, duke thënë se armët kimike nuk janë zhvilluar ose prodhuar në vend që nga shkatërrimi i raundit të fundit kimik në vitin 2017, siç është verifikuar dhe certifikuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.