BE: Nuk ka negociata për MSA me Kosovën
Bruksel, 11 dhjetor - Shefat e diplomacive të vendeve anëtare të BE-së të mbledhur sot në Bruksel nuk janë pajtuar për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Vendimin i pari e ka bërë publik në Twitter, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule.
BE-ja ka konfirmuar mundësinë që Kosova të hapë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit kur të përmbushen prioritetet afatshkurtëra, ka shkruar Fule.
Raportohet se komentet për Kosovën nga ky takim kanë qenë se duhet të vazhdojnë negociatat më Serbinë, Kosova të bashkëpunojë me EULEX-in dhe të mbështetet me dëshmi konkrete në luftën kundër korrupsionit, transmeton RTK.
As për Serbinë nuk ka datë për nisjen e negociatave për anëtarësim, edhe pse është thënë se ajo ka bërë progres. Shefat e diplomacive të vendeve anëtare të BE-së i kanë rekomanduar Këshillit të BE-së që të propozoj hapjen e negociatave me Serbisë gjatë presidencës së ardhshme, nëse vazhdon përparimin.
Shefi i diplomacisë suedeze, Carl Bildt u ka thënë gazetarëve pas takimit në Bruksel, i cili ka zgjatur gati pesë orë se kur bëhet fjalë për Serbinë, në konkluza përmendet korniza kohore e lidhur me caktimin e datës për fillimin e negociatave me BE-në.
I pyetur se a bëhet fjalë për qershorin e vitit të ardhshëm dhe se a dihet data konkrete, ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për datë, por për periudhë kohore.
Bildt ka thënë se për përparimin e mëtejmë do të diskutohet në takimet e ardhshëm të Këshillit të Evropës.
Edhe Ministri shtetëror për çështje evropiane i Gjermanisë, Michael Link, ka theksuar se specifikimi i datës konkrete për fillimin e bisedimeve është shndërruar në një prirje të keqe. Sipas tij, në rastin e Serbisë, është e nevojshme të shqyrtohet synimi i këtij vendi për anëtarësim në BE, si rast unik.