BE nis dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën
Prishtinë, 19 janar - Komisionerja për Punë të Brendshme e Bashkimit Evropian, Cecilia Malmström, ka nisur sot në Prishtinë dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën.
Qëllimi i këtij dialogu është që eventualisht të hiqet obligimi për pajisjen me viza për qytetarët e Kosovës.
Malmstrom ka thënë që ajo që po bëjmë ne është që po e nisim dialogun teknik.
Sipas saj është përkushtim politik që Komisioni Evropian po hyn së bashku me qytetarët e Kosovës, dhe Qeverinë e Kosovës për të hyrë në dialog që ka për synim heqjen e vizave të kosovarëve drejt BE-së.
Malmstrom po ashtu ka theksuar se kjo nuk do të ishte e mundshme pa punën e madhe dhe zotimin e Qeverisë.
\"Unë e di se shumë ministra kanë qenë pjesëmarrës, në mënyrë që të zotojnë kushtet për nisjen e këtij dialogu, ministrja e integrimeve evropiane, ministri i drejtësisë, ministri i punëve të brendshme, kryeministri, dhe koleget tuaj, por po ashtu edhe puna e bërë në komuna dhe të gjithë tjerët që kanë qenë të përfshirë\", ka theksuar ajo.
\"Përkushtimi ynë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i vërtetë dhe jam shumë e kënaqur që tani mund të fillojmë me përparim konkret drejt këtij qëllimi. E di sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jam e kënaqur që e kemi nisur këtë proces.\"
\"Megjithatë, nëse dhe sa shpejt qytetarët e Kosovës do të kenë privilegjin e udhëtimit pa viza, varet plotësisht nga përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe përparimin konkret në terren\", tha Cecilia Malmström.
Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaci në takim me Komisioneren Evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström ka theksuar se Qeveria e Kosovës e mirëpret fillimin e dialogut të shumëpritur për liberalizimin e vizave.
Kjo sipas tij dëshmon se Kosova është në rrugë të mbarë drejt integrimit të Bashkimit Evropian.
\"Sot fillon një kapitull i ri për Kosovën, kapitull historik, ai i evropianizimit të Kosovës. Është me rëndësi të ceket se ky proces është i merituar me punën, këmbëngulësinë të të gjithë njerëzve në Kosovë, Qeverisë së Kosovës, parlamentit, presidencës, të gjitha partive politike, shoqërisë civile, mediave, ky ka qenë një angazhim i përbashkët, i shumanshëm apo edhe i gjithanshëm\", ka theksuar kryeministri Thaçi.
Me këtë akt sipas tij vërtetohet dhe vlerësohet puna e bërë e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.
\"Kosova më nuk është vend i izoluar, Kosova tashmë po lëviz drejt integrimit evropian, është në rrugë të mbarë të lëvizjes së lirë edhe të qytetarëve të saj në Bashkimin Evropian\", është shprehur kryeministri Thaçi.
Sidoqoftë, kjo do të jetë e mundshme vetëm pasi që Qeveria e Kosovës të ketë zbatuar reforma të rëndësishme në fushat kryesore siç janë siguria e dokumenteve të udhëtimit, menaxhimi i kufijve, migrimit dhe azilit, rendi publik dhe çështjet e sigurisë sidomos luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni si dhe çështjet e të drejtave themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Në të kaluarën, BE-ja ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me pesë vende të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që t\'u lejohet qytetarëve të këtyre vendeve të udhëtojnë në BE pa viza. Pas vlerësimit të progresit të shënuar nga këto vende në zbatimin e reformave kryesore, ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia iu bashkuan regjimit të BE-së për udhëtim pa viza në dhjetor të vitit 2009 (IP/09/1852), ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2010 (MEMO/10/548).