BE: Në Sarajevë, edhe Prishtina edhe Beogradi
Beograd, 19 prill - Ministrat e punëve të jashtme të Serbisë, Spanjës dhe Turqisë, do të takohen të martën në Beograd, për të gjetur një zgjidhje për mënyrën e paraqitjes së Kosovës në konferencat ndërkombëtare rajonale, shkruan Blic.
Gazeta bën të ditur se takimi i treshes, Vuk Jeremic, Miguel Angel Moratinos (në rolin e përfaqësuesit të Këshillit të ministrave të BE-së) dhe Ahmet Davutoglu, do të jetë kyç për gjetjen e formulës së re të bashkëpunimit rajonal, ashtu që asnjëri vend të mos përjashtohet nga dialogu.
Pas këtij takimi, janë planifikuar konsultime ndërmjet anëtareve të BE-së dhe administratës së Brukselit lidhur me marrëveshjet e arritura, ndërsa finalizimi pritet të ndodhë javën e ardhshme, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, në Beograd.
Temë e takimit të të martës do të jetë konferenca e Sarajevës, gjegjësisht sigurimi i pjesëmarrjes së të gjitha shteteve të rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën, por edhe çështjet e veprimeve të mëtutjeshme, pasi që GJND të japë mendimin për pavarësinë e Kosovës.