BE miraton udhërrëfyesin për heqjen e vizave për Kosovën
Bruksel, 30 maj - Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar kushtet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisionerja për Çështje të Brendshme e Unionit, Cecilia Malmstrom.
Jam shume e lumtur që sot u miratua Udhërrëfyesi për Liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky është një hap i rëndësishëm, ka shkruar Malmstrom në rrjetin social, Twitter.
Përmbushja e këtyre kushteve të udhërrëfyesit do të krijonte mundësinë e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Schengen për qytetarët e Kosovës.
Ky udhërrëfyes do ti dorëzohet në Bruksel ministres për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, në mesin e muajit qershor.
Ministrja Çitaku ka informuar me telefon nga Brukseli se gjatë asaj vizite, kur do ti dorëzohet edhe udhërrëfyesi, do të shoqërohet edhe nga katër kryetarët e komunave të Gjilanit, Pejës, Istogut dhe Graçanicës.
Megjithatë, marrja e udhërrëfyesit nuk nënkupton se liberalizimi për një vend që aspiron të përfitojë nga ky program, është e garantuar.
Qeveria e Kosovës pretendon se ka plotësuar shumicën e kushteve duke nënvizuar se nuk pret që procesi i finalizimit të dialogut të zgjasë shumë.
Por, ekspertë të çështjeve të BE-së thonë se procesi do të zgjasë mesatarisht deri në dy vjet.