24 Dhjetor 2024

BE kërkon nisjen e dialogut Prishtinë-Beograd

Bruksel, 1 shkurt - Tash kur kanë përfunduar zgjedhjet në Kosovë dhe pritet formimi i qeverisë dhe institucioneve tjera, Bashkimi Evropian ka përsëritur dje thirrjen për nisjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe atë që ky dialog të nisë sa më parë, sepse, siç shprehen në Bruksel, kjo do të ishte në të mirë të të dyja palëve.

Thirrjet kanë ardhur nga niveli mjaft i lartë, nga kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, i cili i ka thënë këto pas takimit që pati me kryeministrin e Serbisë, Mirko Cvetkoviq, në Bruksel.

Ne shpresojmë se, si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, do ta shfrytëzojnë këtë rast që t’i zgjidhin çështjet praktike, të cilat do të lehtësonin jetën e njerëzve në Kosovë, ka thënë kryetari i Komisionit Evropian. Baroso, po ashtu, ka përshëndetur gatishmërinë e Beogradit për të nisur dialogun me Prishtinën.

Kryetari i Komisionit Evropian ka thënë se përshëndet edhe gatishmërinë e Beogradit që t’i mbajë si dy çështje të ndara raportin e Dik Martit në Këshillin e Evropës dhe dialogun me Prishtinën.

Kryetari i Komisionit Evropian ka përsëritur edhe kërkesat që më herët i kishin parashtruar zyrtarë të tjerë të BE-së drejtuar Dik Martit, që ai nëse ka prova, t’i paraqesë ato dhe të bashkëpunojë me EULEX-in gjatë hetimeve.

Pohimet rreth krimeve dhe krimit të organizuar ne i marrim seriozisht, ndërsa lufta kundër këtyre dukurive, duhet të jetë obligim i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, është shprehur Baroso, për të shtuar se, sipas tij, kjo çështje mund të vazhdojë tutje vetëm nëse mblidhen dëshmitë, të cilat do të ishin të pranueshme edhe për gjykata.

Presidenti i Komisionit Evropian i ka dhënë këto deklarata, pasi nga kryeministri i Serbisë, Cvetkoviq, në Bruksel kishin marrë përgjigjet për pyetësorin, të cilin Komisioni Evropian i kishte dërguar Beogradit, në mënyrë që të përgatitet përgjigja për aplikimin e Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Kryeministri i Serbisë, Cvetkoviq, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm për dialog dhe se vetëm me biseda mund të zgjidhjen edhe çështjet më të komplikuara.

I pyetur për raportin e Dik Martit, ai ka theksuar se Serbia, sipas tij, nuk dëshiron ta politizojë këtë raport, por kërkon hetime të pavarura në mënyrë që të gjendet e vërteta.

Madje, edhe nëse këto hetime konfirmojnë atë çfarë është thënë në raport, ne nuk do ta kriminalizojmë një popull të tërë, por do të konsiderojmë se bëhet fjalë për raste individuale, ashtu siç individualizojmë edhe ngjarje tjera që kanë ndodhur në territorin e ish-Jugosllavisë, është shprehur kryeministri i Serbisë, Cvetkoviq.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)