BE-ja dhe Kosova diskutojnë për sundimin e ligjit
Bruksel, 17 janar - Përfaqësuesit e Kosovës dhe BE-së sot në Bruksel, u takuan për herë të tretë në kuadër të kornizës së Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit.
Gjatë këtij takimi, pala kosovare paraqiti një pasqyrë gjithëpërfshirëse të progresit të arritur në fushën e sundimit të ligjit gjatë vitit 2013.
Si rezultat kryesor i këtij takimi ishte që deri në fund të prillit Kosova të pregadisë një strategji gjithëpërfshirëse për sundim të ligjit dhe një plan veprimi. Kjo do ti mundësonte BE-së dhe donatorëve të tjerë ti ofrojnë Kosovës asistencë strategjike gjatë tri viteve të ardhshme. Kjo po ashtu do ti mundësojë Kosovës që gradualisht të marrë përsipër nga EULEX-i përgjegjësitë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit ofron një mundësi për diskutime politike të nivelit të lartë lidhur me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
Takimi i sotëm ka nxjerrë diskutime lidhur me gjyqësorin dhe reformën gjyqësore, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe parandalimin efektiv të korrupsionit.
Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) ofroi një pasqyrë të shkurtër rreth procedurës për rishikimin e ardhshëm të misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, rishikim ky që do të diskutohet në Këshill së shpejti.
Ky takim u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson. Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e Komisionit dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Shefi i Misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt, dhe Përfaqësuesi Special /Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Delegacioni i Kosovës është udhëhequr nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Përveç Zëvendës Kryeministrit Kuçi, në këtë takim morën pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Ata u shoqëruan edhe nga anëtarët e Kuvendit të Kosovës, shefat e institucioneve përgjegjëse për gjyqësor, polici dhe anti-korrupsion, si dhe nga palët e tjera të interesit.
Dialogu i Strukturuar mbi Sundimin e Ligjit ka mbajtur takimin e tij inaugurues më 30 maj 2012 në Bruksel dhe takimi i tij i dytë më 12 shkurt 2013 në Prishtinë. Dialogu i Strukturuar përfaqëson një zotim afatgjatë në mes të BE-së dhe Kosovës për fuqizimin e sundimit të ligjit; ai përqendrohet në gjyqësor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në veçanti në luftën kundër korrupsionit, me qëllim që të përkrahë Kosovën në adresimin e sfidave të sundimit të ligjit në një fazë të hershme të procesit të zgjerimit.