BE-ja dhe Kosova diskutojnë për politika sociale dhe të punësimit
Prishtinë, 21 shkurt - Përfaqësues të autoriteteve kosovare dhe të Bashkimit Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të fundit në fushën e komunikimeve elektronike, shoqërisë informative dhe politikave audiovizuele, punën dhe mirëqenien sociale, arsimin, shkencën dhe novacionin si dhe mbrojtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore.
Diskutimet janë mbajtur brenda kornizës së Dialogut të rregullt për Procesin e Stabilizim-Asociimit.
Në lidhje me politikat audiovizuele, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimet e veta se Kosova është vonuar shumë në përgatitjet për kalimin digjital, duke rrezikuar kështu përmbushjen e afateve kohore, për të cilat është arritur marrëveshje ndërkombëtare, të qershorit të vitit 2015, për kalim në të gjitha vendet e Evropës.
Bashkimi Evropian ka inkurajuar Kosovën që të miratojë legjislacionin e nevojshëm që procesi të ecën përpara. Një çështje tjetër e rëndësishme ishte procesi i emërimeve në Komisionin e Pavarur për Media, i cili ka qenë pa një organ funksional drejtues për të shumtën e kohës gjatë tri vjetëve të fundit.
Bashkimi Evropian dhe Kosova janë marrë vesh që është e rëndësisë parësore që Kuvendi të sigurojë emërimin sa më të hershëm të Komisionit të Pavarur për Media përmes një procesi të hapur dhe transparent që garanton emërimin e njerëzve kompetentë e pa përkatësi politike.
Ky emërim do të jetë i nevojshëm që KPM-ja të kryejë monitorimin e zgjedhjeve nëse Kosova futet në një proces të zgjedhjeve të përgjithshme. Kuvendi i Kosovës është inkurajuar për të gjetur mënyra për një financim të qëndrueshëm të transmetuesit publik, që do të siguronte pavarësinë e RTK-së, siç parashihet me ligjin për RTK-në.
Diskutimet për telekomunikacion janë përqendruar në zhvillimet e tregut dhe një përqendrim i veçantë i është kushtuar nevojës së Kosovës për të siguruar që rregullatori i Telekomit të jetë një organizatë e pavarur financiare dhe e pajisur plotësisht për të kryer detyrat e saj të rëndësishme.
Për lëvizjen e punëtorëve, u vu në pah se është e rëndësishme të ketë bashkërendim dhe këmbim të duhur të të dhënave për pagesat e përfitimeve nga sigurimet sociale mes administratave, për çfarë është parakusht kyç që të ketë kapacitete solide administrative.
Kosova duhet të vazhdojë me nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të ndërsjella ndërkombëtare për sigurimet sociale me vendet anëtare të BE-së. Për punësimin, Kosova shpalosi të rejat në kalendarin legjislativ.
Palët po ashtu u pajtuar se ekziston nevoja për të krijuar sinergji mes agjencive të ndryshme shtetërore, ligjeve dhe strategjive për të siguruar se ekziston një rritje e mundësive për punësim dhe një përkrahje të shtuar për promovimin e masave të punësimit.
Gjatë diskutimeve, Kosova e informoi BE-në për përparimin dhe pengesat në zbatimin e ligjit të punës, përfshirë edhe numrin e inspektimeve nga Inspektorati i punës.
Një pengesë madhore në terren mbetet numri shumë i kufizuar i inspektorëve të punës. Kjo po ashtu ndikon në shëndetin dhe në sigurinë në vend të punës.
Në lidhje me shërbimet sociale Bashkimi Evropian theksoi nevojën që Kosova të mbështesë përparimin në procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale.
Të sigurojë implementim efikas të decentralizimit të shërbimeve sociale, BE-ja ka theksuar rëndësinë e amandamentimit të Ligjit për Financa të Qeverive Lokale në mënyrë që të qartësojë alokimin e buxheteve komunale për sigurimin e shërbimeve sociale. BE-ja ka kuptuar se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me mbështetje të Ministrisë së Pushtetit Lokal ka dorëzuar propozimin për amandamentim të tillë në Qeveri për shqyrtim.
Për mbrojtje dhe kultivim të trashëgimisë kulturore, është e rëndësishme që të vazhdojë të zbatohet legjislacioni në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore dhe që edhe Këshilli për Zbatim dhe Monitorim të jetë funksional. Fushata për ngritje të vetëdijesimit duhet të organizohen në nivel lokal për rritur përkushtimin dhe të kuptuarit e rëndësisë së trashëgimisë kulturore.
Sa i përket arsimit, është vënë re puna e bërë deri më tani, sidoqoftë BE-ja ka vënë theksin mbi rëndësinë që Kosova ti japë përparësi sigurimit të cilësisë në arsim, që prej nivelit parashkollor e deri te ai i arsimit universitar. Duhet të fuqizohet qasja në arsim cilësor për kategorinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara si dhe atyre nga komunitetet pakicë.
Kosova duhet të avancojë mjetet dhe mekanizmat, ligjore dhe të tjera, që në mënyrë të konsiderueshme të përmirësojë cilësinë e garantuar në arsimin e lartë dhe hulumtimet shkencore. Kosova duhet të garantojë edhe përkushtim për implementimin objektiv dhe të duhur të rregullave për angazhimin e stafit dhe të zhvillimit të karrierës në sektorin e arsimit të lartë.