BE heq vizat për Shqipërinë
Bruksel, 8 nëntor - Bashkimi Evropian mori sot vendimin përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjës.
Vendimi u bë publik rreth orës 12:00 të ditës së sotme pas mbledhjes së zhvilluar në Bruksel.
Informacionet më të fundit bëjnë të ditur se vendimi u miratua me unanimitet nga të gjithë ministrat e Brendshëm të unionit. Nga vendimi i sotëm dhe pas botimit në Fletoren Zyrtare, shqiptarët do të mund të udhëtojnë pa viza të gjitha vendet e zonës Shengen, duke përjashtuar këtu Anglinë dhe Irlandën.
Në bazë të rregullave, vendimi hyn në fuqi 20 ditë pasi botohet në fletoren zyrtare, çka do të thotë se shqiptarët duke filluar nga 28 nëntori i këtij viti, duke pasur vetëm një pasaportë biometrike do të mund të udhëtojnë drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Pas votimit pritet botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Europia.Vendet e Bashkimit Europian, të cilat bëjnë pjesë në zonën Shengen, kanë marrë siguri nga Komisioni Europian se Brukseli do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën në këto vende, që përfitojnë nga heqja e vizave.
Liria me vizat do të jetë për 3 muaj, më pas për shtetasit që shkelin rregullat do të ketë penalizime.
Lëvizja do të jetë për çdo shtet të zonës Shengen, përveç Britanisë dhe Irlandës. Komisioni i BE-së i ka kërkuar Tiranës zyrtare dhe Sarajevës zyrtare tua bëjnë të qartë qytetarëve të tyre se udhëtimi pa viza nuk është një biletë për azil ose qëndrim në BE, pas problemeve që u përball Europa me azilkërkuesit e Maqedonisë vitin e kaluar.
Presidenti Bamir Topi ka përshëndetur vendimin e ministrave të Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Në një mesazh drejtuar shqiptarëve kreu i shtetit e ka cilësuar këtë ditë si një ditë e shënuar dhe si vendimin më të rëndësishëm pas pavarësisë së Shqipërisë.
Sot ra muri i vizave për shqiptarët. Ky është një moment i gëzuar për të gjithë dhe shqiptarët duhet ta shfytëzojnë hapësirën që i garanton lëvizja e lirë në hapësirën Shengen theksoi Topi duke shtuar se ky vendim është një arritje që shqiptarët e meritojnë ta shijojnë por pa harruar edhe për gjërat që i presin atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kryeministri, Sali Berisha duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, theksoi se sot është një ditë historike për shqiptarët.
U krye! Dhe kjo në nderimin më të madh, respektin më të thellë ndaj atyre që 20 vjet më parë me dy gishtat lart mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës, nën moton E duam Shqipërinë si gjithë Evropa, tha Berisha.
Kreu i qeverisë tha se me këtë vendim, shndërrohet në realitet ëndrra e shqiptarëve për të lëvizur lirshëm pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Vendimi i sotëm shënon shndërrimin në realitet të ëndrrës më të bukur të të rinjve shqiptarë, të qytetarëve shqiptarë, shënon arritjen më të madhe për lirinë dhe dinjitetin e tyre, pas rënies së perdes së hekurt. Por dua të theksoj se ky është mesazhi më miqësor që kombet e Evropës, qeveritë e tyre ju dërgojnë shqiptarëve, në 98 vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre, tha kryeministri menjëherë pas vendimit.