BE gjobit me 344 milionë euro Greqinë
Bruksel, 21 tetor - Komisioni Europian ka gjobitur me një shumë prej 344 milionë eurosh Greqinë, pasi ka zbuluar se për 10 vjet qeveritë kanë abuzuar duke financuar bujqësinë në mënyrë të paligjshme.
Lajmi është publikuar nga e përditshmja greke "Ta Nea", sipas të cilës Athina duhet të paguajë detyrimin për financimet e paligjshme që qeveritë e mëparshme kanë ndërmarë ndaj bujqërve gjatë viteve të fundit.
Hetimet e para u kryen për financimet e viteve 2004 -2007, ndërsa Komisioni deklaroi se do të verifikonte të gjitha financimet e periudhës 1997-2010. Përveç penalizimit më gjobë, Athina zyrtare kërcënohet me detyrimin për t'i kthyer arkës së përbashkët europiane, financimet totale që i janë bërë sektorit të bujqësisë dhe që konsiderohen si të paligjshme. Këto para u janë dhënë bujqve gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Ekspertët kontrollorë të Komisionit, vlerësojnë se shuma e financimeve të parregullta tejkalon shifrën e 1.3 miliardë eurove. Dhe sipas të gjitha gjasave, nëse kjo gjë ndodh, listës së gjatë të borxheve të vendit, do t'i shtohet edhe 1 pikë përqindje, gjë që e çon deficitin e brendshëm të vendit në mbi 16% të GDP-së.
Financimet më të mëdha janë dhënë në mënyrë të paligjshme prej qeverisë së Karamanlisit pak përpara zgjedhjeve parlamentare, dy herë të fituara prej 'Demokracisë së Re'. Gazeta 'Ta Nea' shkruan se Karamanlis dhe ekipi i tij, dhanë para për të përfituar në zgjedhje, por haraçin do ta paguajnë taksapaguesit grekë për shumë vite të tjera.
Në krye të listës së financimeve të paligjshme, thuhet se një paketë prej 500 milionë eurosh, është dhënë për bujqit pak para zgjedhjeve të 2006, edhe pse komisioni e kishte paralajmëruar qeverinë helene se finacimet për këtë sektor ishin të jashtëligjshme.
Pas publikimit të lajmit për gjobën që i është vendosur Greqisë prej Komisionit, ministri i Bujqësisë Kostas Skandalishis deklaroi se vendit nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse t'i bindet vullnetit të Komisonit.
Skandalidis tha se që prej një viti Greqia po tregohet e sinqertë me partnerët europianë dhe po bën përpjekje maksimale për reformimin e sistemit të dhënies së subvencioneve në bujqësi.