BE e ndarë në politikën ndaj Kosovës
Bruksel, 8 shtator - Ndarja në Bashkimin Evropian (BE) për çështjen e pavarësisë së Kosovës dobëson politikën e BE-së në rajon.
Ulrike Lunacek, eurodeputetja e të Gjelbërve austriakë në Parlamentin Evropian dhe raportuese për Kosovën, u bën thirrje "pesë shteteve kokëforta që ta njohin atë, sepse kjo do t'i bëjë përpjekjet e BE-së edhe më efektive."
Megjithatë kjo një herë për një herë nuk pritet të ndodhë. Kryesuesja e radhës e BE-së Qiproja , e cila është gjithashtu kundërshtare e njohjes, po qëndron e tërhequr. Sipas zëvendësministrit qipriot për Evropën Andreas Mavroyiannis "BE-ja kërkon një qasje neutrale ndaj statusit".
Por në qoftë se BE-ja nuk është e një mendjeje në këtë çështje, atëherë BE-ja nuk mund të presë nga Serbia që të heqë dorë zyrtarisht nga Kosova si pjesë e territorit të saj.
Presidenti i ri serb Tomisllav Nikoliq tha pas bisedimeve në qershor me Presidentin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso, i kënaqur: "Mua më kanë siguruar se BE nuk do të na kërkojë të njohim Kosovën".
Por kjo nuk do të thotë se Bashkimi Evropian nuk pret asgjë në çështjen e Kosovës dhe të Serbisë, nëse vendi dëshiron t'i afrohet qëllimit të tij për t'u anëtarësuar në BE - përkundrazi.
Serbia mori këtë vit statusin e kandidatit dhe pret për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Edhe gjatë vizitës së presidentit Nikoliq në qershor Barroso i tha qartë "se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën mbetet një kërkesë absolutishte kyçe për Komisionin, që t'u rekomandojë shteteve tona anëtare hapjen e negociatave për anëtarësim." Konkretisht, BE pret prej të dyja palëve sidomos kthimin e vendkalimeve kufitare në vendkalime normale.
Kosova nuk e ka marrë deri tani statusin e kandidatit dhe nuk mund ta marrë për aq kohë sa të gjithë anëtarët e BE ta kenë njohur Kosovën si shtet.
Por në thelb rruga e Kosovës për në Evropë, është e hapur thotë Komisioni. Prandaj Komisioni kërkon nga Kosova që të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe të respektojë pakicën e saj serbe, pavarësisht nga çështja e pazgjidhur e statusit.
Presidenti Van Rompuy u shpreh për "rrugën evropiane të kompromisit, dialogut dhe konsensusit", prej së cilës të dyja palët vetëm se mund të fitojnë. Por në perspektivë afatgjatë duhet trajtuar edhe çështja e statusit sugjeroi të martën Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian.
"Në fund të një rruge të gjatë duhet të jetë njohja e ndërsjellë e Serbisë dhe Kosovës" tha Schulz në prani të kryeministrit serb Ivica Daçiq.
Çfarë ndryshon me të vërtetë tani që Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë mbyll dyert e saj? Jo shumë, beson Marko Prelec, ekspert për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Bruksel.
"Kosova është ende e paqëndrueshme, veçanërisht për sa i përket sundimit të ligjit dhe marrëdhënieve me serbët në veri të vendit dhe në Serbi."
Po ashtu për momentin nuk pritet ndonjë ndryshim as sa i përket mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe as anëtarësimit të saj në OKB.
Prelec mendon se çdo tërheqje e pranisë ndërkombëtare do të thotë më shumë rrezik për serbët në Kosovë. "Kjo është ende një zonë e rrezikshme, ku prania ndërkombëtare do të jetë e nevojshme edhe për shumë vjet." BE dhe NATO mendojnë në të njëjtën mënyrë. Sie KFOR-i edhe misioni i policisë dhe i drejtësisë EULEX do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë.
/dw/