BE do t'i dërgojë sinjal të qartë Rusisë lidhur me Ukrainën
Bruksel, 13 dhjetor - Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin e sotëm do t‘i dërgojnë sinjal të qartë Rusisë në çështjen për Ukrainën.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së sot u mblodhën në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel përpara Samitit të Liderëve të BE-së që do të mbahet më 16 dhjetor.
Në një deklaratë për media në hyrje të takimit, Borrell tha se agjenda e takimit të fundit të vitit të ministrave të Jashtëm është intensive.
"Situata në kufirin e Ukrainës ku Rusia ka grumbulluar njësitë është një nga çështjet e para dhe sigurisht më e rëndësishmja", tha Borrell.
"Do të dërgojmë një sinjal të qartë se çdo situatë agresive kundër Ukrainës është një kosto e lartë për Rusinë", tha Borrell duke vënë në dukje se në anën tjetër kanë bërë më të mirën për të penguar një krizë të tillë me Rusinë.
Borrell rikujtoi se dje gjatë kontakteve të lideres opozitare bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya në Bruksel, BE-ja njoftoi një mbështetje shtesë prej 30 milionë eurosh për shoqërinë civile në Bjellorusi.
Në takim do të diskutohet edhe kriza e migracionit në kufirin e Bjellorusisë, theksoi Borrel iduke shtuar se nuk do të merret vendim lidhur me sanksione të reja kundër qeverisë së Lukashenkos.
Shefi i diplomacisë evropiane Borrel tha se do të analizojnë edhe zhvillimet pas marrjes së qeverisë nga talebanët dhe tërheqjes së NATO-s nga Afganistani.
Në pjesën e drekës në takimin e ministrave do të marrë pjesë edhe zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdurrahman Al-Thani, një nga vendet kyçe në çështjen e Afganistanit.
Borrell tha se në kontekstin e Afganistanit, ministrat do të diskutojnë gjithashtu edhe mbi situatën në vendet e Azisë Qendrore.
Borrell vuri në dukje se në takim do të diskutohet edhe çështja e rajonit Maraş në Qipron turke por që nuk pritet të merret ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.
Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Marrëdhënieve me Jashtë të BE-së kërkoi përgatitjen e "dokumentit të alternativave" lidhur me hapat që do të ndërmerren kundër Turqisë pasi Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) vendosi të hapë një pjesë të rajonit të mbyllur Maraş. Është njoftuar se ky dokument është përgatitur dhe se është shpërndarë për vendet anëtare javën e kaluar.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së do të merren vendime për sanksione ndaj kompanisë ruse të sigurimit "Wagner" dhe Malit një prej vendeve ku kjo kompani vepron.
Në mesin e sanksioneve përfshihen ngrirja e aseteve dhe ndalesa e udhëtimit në BE.