BE do prezantojë plan të ri masash për refugjatët

Bruksel, 15 dhjetor - Si pjesë e një nisme të Bashkimit Europian për të frenuar fluksin e emigrantëve, pritet të prezantohen një seri planesh për krijimin e një roje bregdetare europiane.
Në këtë mënyrë, Komisioni Europian propozon një forcë me një mandat më të fortë se misioni aktual i Unionit, FRONTEX. Por qeveritë e disa prej vendeve anëtare e shohin mandatin në fjalë si shkelje të sovranitetit kombëtar.
Gjithashtu, ky komision planifikon të propozojë sistemimin e refugjatëve direkt nga kampet turke, në përpjekje për të parandaluar që ata të marrin rrugët e rrezikshme detare.
Polonia thotë se do të kundërshtojë çdo lëvizje për të dërguar në kufijtë e Bashkimit Europian njësi pa aprovimin e vendit pritës.
Witold Waszczykowski, ministri i Jashtëm deklaroi se një mandat i tillë do të thotë se, kjo do të jetë një strukturë jodemokratike dhe e pakontrolluar nga vendet anëtare. Por nga ana tjetër ai theksoi se, përforcimi i FRONTEX është mëse i rëndësishëm.
FRONTEX, një agjenci e BE-së me bazë në Poloni, është angazhuar të dërgojë roje kufitare në Greqi, ku rreth 800 mijë emigrantë kanë mbërritur përmes detit këtë vit.
Vendosja e oficerëve në ishujt grekë në afërsi të Turqisë parashikon rritjen e numrit të patrullave tokësore dhe detare, që do të thotë se emigrantët do të identifikohen dhe regjistrohen, thuhet në një njoftim të FRONTEX.