BE: Dialogu për vizat me Kosovën ndoshta në 2012
Bruksel, 13 dhejtor - Dje në Komisionin Evropian është paralajmëruar se dialogu për vizat me Kosovën mund të fillojë në fillim të vitit që vjen e jo para fundit të këtij viti, siç ishte premtuar.
Michele Cercone, zëdhënës i komisioneres së Punëve të Brendshme, Cecilia Malmstrom, ka thënë dje në konferencën për shtyp se Komisioni vazhdon të ketë qëllimin e nisjes së dialogut të vizave me Kosovën, porse hapa drejt nisjes së dialogut mund të ndërmerren në fillim të vitit që vjen.
Ai rikujtoi përgjigjen që para një jave në Bruksel e kishte dhënë vetë komisionerja Malstrom, e cila kishte saktësuar se Komisioni tash është duke bërë vlerësimin e disa kushteve që është dashur të përmbushen nga Kosova dhe se vetëm pas këtij vlerësimi mund të shikohet mundësia e shkuarjes në hapa të mëtejmë.
Cherkone precizon se procesi i vlerësimit të përgjigjeve të arritura nga Prishtina do merr kohe dhe i njëjti sipas të gjitha gjasave do përfundojë vitin që vjen. Bëhet fjalë për procedurë të pashmangshme që i paraprinë përgatitjeve për hapjen e dialogut të vizave dhe shpresohet se kjo mund të përmbyllet, siç thuhet në një të ardhme të afërt.