06 Maj 2024

BE dhe SHBA refuzuan që pikat doganore të diskutohen në dialog

Bruksel, 28 shtator - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri  zhvilloi takim të veçantë me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve në dialogun teknik, Robert Cooper, ndërmjetës i BE-së për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe Philip Reeker, ndihmës kryesor i nënsekretarit të SHBA-ve.

Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve njoftuan delegacionin e Kosovës për bisedat e zhvilluara me përfaqësuesin e palës sSerbe , z. Stefanoviq, si dhe për refuzimin kategorik të kërkesës së Serbisë për të përfshirë në agjendën e dialogut çështjen e pikave doganore.

Poashtu, ata siguruan se BE-ja dhe SHBA-ja mbështesin fuqishëm Qeverinë e Kosovës për vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor në pjesën veriore te vendit, si dhe përgëzuan Qeverinë  për implementimin e marrëveshjes për tregtinë e lirë. Vendosja e rendit dhe ligjit dhe konsolidimi i sovranitetit shtetëror në tërë territorin e Kosovës është e drejtë sovrane dhe kushtetuese e institucioneve të Kosovës dhe në dobi të qytetarëve, u tha në këtë takim.  

Nga ana e saj, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri siguroi partnerët evropian dhe amerikan se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për realizimin e vizionit euro-atlantik për shtetin e Kosovës dhe për mbrojtjen e interesave nacionale të vendit tonë.

Në këtë takim u konstatua se ky raund i dialogut u anulua me fajin e palës serbe, e cila u tërhoq nga dialogu pas dështimit për të imponuar bisedat për çështjen e pikave doganore, duke shkelur më këtë rast obligimet e marra nga Rezoluta e AP të OKB-së për dialogun dhe parimet evropiane.

Në vazhdim të takimit zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shtroi çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve të arritura  si dhe dorëzoi Raportin Zyrtar të Qeverisë së Kosovës për situatën e implementimit.

Ajo theksoi se pala e Kosovës ka qenë dhe mbetet e angazhuar për suksesin e dialogut teknik por konsideron se çelësi i suksesit të dialogut është implementimi i marrëveshjeve.
 
Delegacioni i Kosovës kërkoi nga ndërmjetësi  Cooper, që Bashkimi Evropian të bëjë vlerësimin zyrtar të ecurisë së implementimit të marrëveshjeve si dhe të vlerësojë drejtë përformancën e palëve në dialog.

 Kosova ka qenë palë konstruktive gjatë gjithë procesit,  si në arritjen e marrëveshjeve ashtu edhe në zbatimin e tyre, andaj delegacioni i Kosovës kërkoi që ky konstruktivitet dhe seriozitet i Qeverisë së Kosovës të rezultojë me përparimin substancial të Kosovës drejtë Bashkimit Evropian, ashtu siç parasheh Rezoluta e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së për dialogun.

Konkretisht delegacioni i Kosovës kërkoi që Kosova për arritjet e saja në dialog duhet të marrë marrëdhëniet kontraktuale me BE-në dhe pret që BE-ja të marrë vendim sa më shpejtë për këtë.

Poashtu, delegacioni  i Kosovës kërkoi që ecuria e dialogut të përfshihet në Raportin e Progresit të KE-së me një analizë të qartë për rezultatet dhe ngecjet si dhe që pala serbe e cila nuk i tregua konstruktive, për më tepër po vazhdon të zvarritë implementimin e marrëveshjeve, duhet të ballafaqohet me konsekuencat nga mos përmbushja e obligimeve që dalin nga  rezoluta e OKB-së për dialogun.

Delegacioni i Kosovës potencoi në mënyrë të veçantë se çështja e implementimit të marrëveshjeve duhet  të shoqërohet me një sistem masash detyruese për palët në dialog, ku do të precizohen afatet kohore si dhe masat e stimulimeve dhe ndëshkimeve për palët në rrugën e përparimit drejt BE-së. Një qasje e tillë do ta fuqizoj dialogun si dhe do ti bëjë të pamundura pengesat dhe obstrukcionet e palës Serbe ndaj dialogut, u tha mëtej.

Në fund të takimit, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri falënderoi BE-në dhe SHBA-në për  mbështetjen e fuqishme për Qeverinë e Kosovës në angazhimet për të vënë ligjin, rendin dhe normalitetin në pjesën veriore të vendit në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in.

Në delegacionin të Qeverisë së Republikës së Kosovës të prirë nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ishin edhe, Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – Këshilltare Politike, Gazmir Raci - Këshilltar Politik dhe Ibrahim Gashi - zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)