12 Janar 2025

BE angazhohet për trajtimin e shqetësimeve nga pala e Kosovës

Bruksel, 17 korrik - Në kuadër të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes për normalizim, në Bruksel këtë javë po mbahen bisedimet trepalëshe me ndërmjetësimin e BE-së.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita  Tahiri dhe Shpend Maxhuni, Drejtor gjeneral i Policisë së Kosovës dhe në përbërje të ekspertëve nga fusha e sigurisë po merrë pjesë në bisedimet për çështjet e sigurisë.

Në takimet e mbajtura me datën 16 dhe 17 korrik 2013, bisedimet  janë fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet e hapura rreth zhbërjes së plotë të të gjitha strukturave paralele të sigurisë dhe për integrimin e individëve serb në strukturat e policisë së Republikës së Kosovës.

Pas këtyre takimeve Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se në kuadër të bisedimeve dyditore janë bërë vlerësime për të arriturat në zbatimin e marrëveshjes si dhe janë adresuar çështjet që kanë mbetur ende të hapura.

Ajo tha se me miratimin e Ligjit për amnistinë, shteti i Kosovës ka dhënë mesazh të fuqishëm për gatishmërinë për integrimin e qytetarëve serb të pjesës veriore në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit, demokracisë dhe normalitetit në çdo cep të shtetit të Kosovës.

Më tej ajo ka theksuar se bisedimet janë përqendruar në procedurat dhe kriteret demokratike për integrimin e individëve në strukturat e sigurisë, me ç`rast delegacioni i Kosovës ka siguruar se Ligji për policinë e Kosovës bazohet në praktikat më të mira evropiane dhe ofron mundësi për një integrim të dinjitetshëm.

Zonja Tahiri bëri me dije se në këto takime nuk janë shënuar përparime konkrete drejtë zbatimit të marrëveshjes dhe se vazhdojnë të mbeten të hapura disa çështje relevante siç janë zhbërja e të ashtuquajturës mbrojtje civile si dhe çështja e dorëzimit të armëve, për arsye se pala serbe nuk ka pranuar të diskutoj për këto çështje.

Delegacioni i Kosovës ka deklaruar se Kosova po i përmbush me sukses të gjitha obligimet e saja që kanë dalë nga marrëveshja duke filluar me Ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, miratimin e ligjit për amnisti, emërimin e ushtruesit të detyrës së komandantit të policisë për pjesën veriore, përgatitjet që bëhen për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013, etj. Poashtu u tha se ky përkushtim i institucioneve të Kosovës është konstruktiv  dhe do të mbetet i tillë.

Nga ana tjetër delegacioni jonë ka kërkuar që edhe Serbia ti përmbush obligimet zbatuese duke qenë se ka ngecje të theksuara në këtë drejtim, me çrast ka numëruar të gjitha ngecjet e evidentuara të palës. 

Gjatë qëndrimit në Bruksel Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është takuar me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit të Jashtëm të BE-së Fernando Gentilini.

Në këtë takim është diskutuar për progresin e arritur në procesin e zbatimit të marrëveshjes ku me këtë rast Zëvendëskryeministrja Tahiri ka vlerësuar përparimet e bëra por poashtu ka adresuar sfidat në këtë proces sidomos ato që janë paraqitur në çështjet e sigurisë dhe atë të drejtësisë.

Ajo çmoi angazhimin maksimal të BE-së në këtë proces si një kontribut për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe forcimin e perspektives evropiane për të dyja shtet.

Në takim Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ngriti shqetësimin e Qeverisë së Kosovës lidhur  me incidentet e kohëve të fundit të bëra në vijën kufitare më mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë nga xhandarmeria serbe dhe në veçanti të shfaqjes së xhandarmerisë serbe në fshatin Karaqevë.

Zonja Tahiri tha në këtë proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, palët duhet të kontribuojnë në frymën e normalizimit, andaj theksoi që Serbia menjëherë duhet të ndal provokimet e tilla ndërsa nga Bashkimi Evropian kërkoi që të ndihmojë në tejkalimin e situatave të tilla.

Ajo bëri të ditur se ka biseduar me kryetarin e Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli i cili edhe me shkrim e ka njoftuar me problematikën  e krijuar si dhe efektet negative të kësaj ndërhyrjeje në qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.

Nga ana tij, Gentilini vlerësoi përkushtimin e të dyja palëve në procesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve duke shprehur përkushtimin e BE-së që ky proces të përmbyllet me sukses.

Ai premtoi se BE-ja do të angazhohet për trajtimin e shqetësimeve të ngritura nga pala e Kosovës duke theksuar se serioziteti dhe maturia në këtë proces është një faktor i rëndësishëm për suksesin e këtij dialogu dhe perspektiven evropiane të të dyja vendeve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)