22 Dhjetor 2024

"Bashkimi Kosovë-Shqipëri, zgjidhja e vetme racionale"

Berlin, 9 prill - Njëri prej filozofëve më të njohur në botë, Slavoj Zizek në një intervistë për Radion Deutsche Welle ka deklaruar se ai mendon se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, do të mund të ishte zgjidhja më racionale për perspektivën e Ballkanit.

Zizek ka vlerësuar se politika e Brukselit ndaj Ballkanit është duke ndryshuar – por ka shtuar se, duke marrë parasysh përvojën e deritashme, sidomos në 10 vjetët e fundit, “Evropa, fatkeqësisht, nuk është në gjendje të arrijë një nivel të projektit serioz”. Sidoqoftë, ai mendon se për shkak të disa arsyeve të caktuara gjeopolitike, pozita e Ballkanit sot është shumë më e mirë.

Sa i përket Serbisë, Zizek ka thënë se ajo ende nuk është përcaktuar për një Evropë moderne – dhe se ballafaqohet me populizëm nacionalist. A ka vlerësuar se orientimi evropian i Serbisë ende nuk e ka fituar betejën brenda shoqërisë serbe.

Ndërkaq, lidhur me ardhmërinë e Kosovës, Zizek ka thënë: “Kjo çështje më ka sjell shumë telashe. Përgjithësisht, situata është shumë irracionale. Tash do të them diçka absurde: Ndoshta është më mirë që Kosova nëpërmjet një koordinimi ndërkombëtar t’i bashkohet Shqipërisë. Kjo do të ishte zgjidhja e vetme afatgjate racionale. Ngase, është budallallëk të kesh dy shtete me popull krejtësisht të njëjtë”.

Për këtë shkak, Zizek ka thënë se ai ka qenë skeptik deri në pavarësimin e Kosovës. “Kjo ishte pjesë e një strategjie amerikane, e cila – siç po shihet – në aspektin afatgjatë nuk e zgjidhë problemin”.

“Për shembull, miqtë e mi nga Kosova më kanë thënë se fillimisht kanë qenë të lumtur, mirëpo kur kanë dashur të ndërtojnë autostradën Prishtinë-Tiranë është dashur që këtë ta bëjnë thuajse në mënyrë të fshehtë. Sepse, zyrtarët ndërkombëtarë janë paranik dhe nuk dëshirojnë asnjë lidhje të ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, ky është çmimi që duhet ta paguash nëse varesh nga dëshira e mirë e fuqive të mëdha”, ka thënë Zizek.

Për këtë arsye, Zizek mendon se situata në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë ende nuk është zgjidhur – por është stabilizuar në aspektin afatshkurtër. “Më e mirë është kjo, sesa lufta. Mirëpo, as në Bosnje, e as në Kosovë – siç po shihet – kam frikë se ende nuk e kemi një formulë afatgjate”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)