Bashkimi Europian sot diskuton për bisedimet Kosovë-Serbi
Luksemburg, 24 qershor - Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë sot në Luksemburg lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi.
Siç dihet Bashkimi Evropian pritet që javën e ardhshme të marrë vendim nëse Serbisë do ti jepet data për fillimin e negociatave të anëtarësimit, ndërsa Kosovës Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.
Vendimi përfundimtar rreth këtyre dy çështjeve pritet të merret në takimin e Këshillit Europian që mbahet më 27 dhe 28 qershor.
Sipas agjendës së publikuar gjatë këtij takimi diplomatët e 27 vendeve anëtare në kuadër të diskutimit për Ballkanin Perëndimor do të flasin edhe për negociatat Kosovë-Serbi.
Kur është fjala te Kosova dhe Serbia siç dihet BE pritet të marrë vendim nëse Serbisë do ti jepet data për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE pikërisht duke u bazuar në rezultatet e dialogut me palën kosovare, ndërkohë pritet të merret edhe një vendim nëse edhe Kosova do të shpërblehet me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Por sipas njoftimit të BE-së këto vendime mund të mos merren gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm. Aty paralajmërohet edhe një debat për ditën e martë që do të mbahet në Këshillin për Çështje të Përgjithshme të BE-së, ndërkohë që vendimi përfundimtar rreth këtyre dy çështjeve mund t\'\'iu mbetet në dorë edhe shefave të shteteve të BE-së.
Kjo çështje mund të jetë në agjendë të Këshillit Europian më 27 dhe 28 qershor thuhet në njoftim.