23 Dhjetor 2024

Bashkëshortja e shqetësuar mbi gjendjen shëndetësore te Navalnit

 Moskë, 14 prill - Kritiku i Kremlinit që ndodhet në grevë urie, Alexei Navalny, ka vështirësi në të folur dhe ka humbur shumë peshë, tha bashkëshortja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, pasi e vizitoi atë në burg.

Navalny, 44 vjeç, kundërshtari kryesor i Presidentit rus Vladimir Putin njoftoi fillimin e grevës së urisë nga fundi i marsit, në shenjë proteste ndaj asaj që ai tha se ishte refuzim i autoriteteve të burgut për ta trajtuar atë si duhet për dhimbje akute të shpinës dhe këmbës.

Në një postim në Instagram, Yulia Nalvalnaya, shpjegoi gjendjen e tij pasi foli me të në telefon të ndarë nga një dritare xhami.

“Ai vazhdon të jetë i gëzuar dhe optimist si kurrë më parë. Flet me vështirësi dhe kohë pas kohe mbyll telefonin dhe mbështetet në tryezë për të pushuar. Ka humbur shumë peshë… peshon 76 kilogramë ndërkohë që është 190 centimetra i gjatë”, tha ajo.

Kjo nënkupton që pesha e Navalny ka rënë 16 kilogramë që nga muaji i kalur kur është dërguar në burgun që ndodhet 100 kilometra në lindje të Moskës.

“Nuk lejojnë që një mjek ta vizitojë… Unë kurrë nuk kam parë fytyrë më të dobësuar, por e di që ai nuk do të dorëzohet”, shtoi ajo.

Opozitari Navalny, i cili sipas perëndimit është burgosur padrejtësisht dhe duhet të lirohet, u kthye në Rusi në janar pas trajtimit në Gjermani për atë që mjekët thonë se ishte helmim me agjent nervor.

Ai u dënua në shkurt me dy vite e gjysmë burg për akuzat se ka shkelur rregullat e një dënimi me kusht, gjë që sipas zotit Navalny është process i motivuar politikisht. Rusia thotë se nuk ka prova se ai ishte helmuar.

Stafi në burgun rus tha se i kanë ofruar zotit Navalny trajtimin e duhur, por ai ka refuzuar shërbimin.

Në fillim të muajit Alexei Navalny është dërguar në një klinikë burgu pas ankesave për temperaturë të lartë dhe kollitje.

Shërbimi rus i burgjeve tha të martën se një grup mjekësh vlerësuan shëndetin e zotit Navalny si të kënaqshëm, prandaj më 9 prill ai u transferua nga klinika për në burgun kryesor, njofton agjencia e lajmeve RIA.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)