Bancroft: Serbia të shpërbëjë strukturat paralele
Beograd, 20 mars - Serbia, sipas të gjitha gjasave, nuk do të marrë datën për të filluar negociatat me BE-në, nëse nuk ndërmerr hapa për të shpërbërë strukturat paralele në veri të Kosovës.
Kështu është shprehur Ian Bancroft, ekspert i Ballkanit Perëndimor për Blic ndërsa ka theksuar se Serbia gjithashtu duhet të zbatojë plotësisht marrëveshjet e deritashme në dialog me Kosovën, veçanërisht ato lidhur me menaxhimin e integruar të kufirit.
Bancroft thotë se Beogradi do të jetë nën presion ndërkombëtar për të bërë një trysni të fortë mbi serbët në veri, ndikim ky që nuk e posedon aq sa duhet. Marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës ai e ka vlerësuar si kompromis, me interes për të dy palët.
Ndërsa lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ai vlerëson se ato do ta tensiononin edhe me shumë situatën në Kosovë. Serbia do të pranojë kompromisin që në Kosovë të organizojë vetëm zgjedhje parlamentare, tha ai.
Duke folur për dialogun ai ka thënë se është e pamundur që sërish të ketë negociata për statusin e Kosovës, pasi sipas tij Kosova gëzon përkrahje të madhe ndërkombëtare. Megjithatë mund të ketë negociata për përshtatjen e kufijve, këmbimin e territoreve ose edhe për sovranitetin e ndarë mbi veriun e Kosovës, ka theksuar Bancroft.