Ban vlerëson zbatimin e marrëveshjeve të dialogut Kosovë - Serbi
Prishtinë, 11 gusht - Në raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, bëhet edhe një vlerësim i përmbushjes së pjesshme dhe të munguar të marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë në dialogun e deritashëm teknik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Për bashkëpunimin rajonal, Ban thotë se marrëveshja nuk ka përcaktuar në mënyrë precize përdorimin e fusnotës dhe me interpretime të ndryshme nga palët ka çuar në probleme në pjesëmarrjen e institucioneve të Prishtinës dhe Beogradit në një seri takimesh rajonale.
Për lirinë e lëvizjes thuhet se kjo marrëveshje ka mundësuar që qytetarët të udhëtojnë në territoret e dy vendeve, mirëpo nuk është zgjidhur çështja e pagesës për sigurinë e automjeteve, ndërsa mbetet kundërthënëse edhe çështja e tabelave të automjeteve dhe ndalimi nga ana e autoriteteve të Kosovës i përdorimit të tabelave serbe.
Për çertifikimin e diplomave thuhet se ka pasur progres në zbatimin e kësaj marrëveshje dhe më 27 qershor Shoqata e Universiteteve Evropiane ka certifikuar diplomat e para të dhëna nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Për librat e regjistrimit civil thuhet se programi pilot ka filluar më 10 maj dhe janë certifikuar 111 libra që mbulojnë territorin e Janjevës dhe Lipjanit, ndërkaq kjo marrëveshje pritet të përmbushet brenda 12 muajve në gjithë territorin e Kosovës dhe do të përfshijë rreth 14 mijë libra të regjistrimit civilë.
Për shënimet katastrale thuhet se po shqyrtohet kopjimi i dokumenteve katastrale që janë në Beograd mirëpo zbatimi varet nga nxjerrja e një ligji përkatës në Prishtinë që do të krijonte një agjenci teknike e cila megjithatë po vonohet.
Për menaxhimin e integruar të pikë-kalimeve thuhet se është shënuar progres i vogël meqenëse Beogradi ende nuk e ka nënshkruar protokollin teknik për zbatimin e konkluzioneve të dialogut.
Për lëvizjen e lirë të mallrave thuhet se zbatimi i saj ka qenë i kënaqshëm me përjashtim të dy pikave të kalimit në veri të Kosovës.
Raportin më të ri të Sekretarit Ban do ta shqyrtojë Këshilli i Sigurimit në seancën e planifikuar më 21 gusht.
/RTK/