Ban Ki-mun, shpreh shqetësim për marrëdheniet Kosovë - Serbi
New York, 16 korrik - Ban Ki-mun, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka thënë se në udhëtimin e tij në Kosovë dhe Serbi, nga liderët e tyre do të kërkoj bashkëpunim të plotë dhe se ishte i shqetësuar për gjendjen e raporteve ndërmjet tyre.
Për një kohë isha i shqetësuar nga gjendja e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe dështimin e tyre për pajtim, tha Ban Ki-mun, në një intervistë me mediat e Beogradit, të publikuar të dielën.
Mëtutje, Ban Ki-mun, ka theksuar se të dy palët duhet të bashkëpunojnë plotësisht në interesin e prosperitetit të tyre dhe sigurisë në rajon dhe shtoi se kjo është ajo për të cilën do të bisedoj me liderët e Serbisë dhe Kosovës.
Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të Serbisë kanë shprehur mospajtime për vizitën e sekretarit të përgjithshëm në Kosovë.
Presidenti Tomisllav Nikoliq tha se vizita e tij në Prishtinë ka probleme.
Kryeministri i nominuar, Ivica Daçiq, tha se është obligim i tij si sekretar i përgjithshëm i OKB-së ta respektoj statusin e Kosovës brenda Kombeve të Bashkuara, që do të thotë se Kosova nuk është në OKB si shtet i pavarur.
Por, Ban Ki-mun, ka theksuar se vizita e tij ka të bëjë me faktin se në Kosovë ekziston misioni i OKB-së.
Detyrë e imja dhe përgjegjësi është që të takohem me njerëzit atje, tha Ban Ki-mun.
Gjatë turneut në Ballkan, të cilin e fillon këtë javë, ai do ta vizitoj Slloveninë, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, raporton AFP.