Ban Ki Moon shpreh shqetësimin për të pagjeturit në Kosovë
New York, 1 gusht - Në raportin e tij të fundit për zhvillimet në Kosovë ai thotë se lidhur me këtë çështje si një plagë e rëndë e trashëgimisë së luftës, EULEX-i ka kryer këtë vit 30 operacione në terren në Pejë, Mitrovicë, Suharekë, Prizren, Gjakovë, Klinë dhe Skenderaj.
Janë gjetur eshtrat e 18 personave. Ka ende edhe 1,726 persona që evidencohen si të zhdukur nga konflikti i Kosovës, thuhet në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm. Më tej ai nënvizon se mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare dhe angazhimi i saj në Kosovë mbetet thelbësor.\"
Raporti i Sekretarit Ban përmend edhe takimin e Grupit punues për personat e pagjetur ku Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u kishte bërë thirrje të gjitha autoriteteve për të dhënë informacionet më të reja.
Në trashëgimitë e pazgjidhura të konfliktit duhet të mbeten prioritete kyçe edhe rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur si dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime të luftës, thekson Ban në raport.
Shefi i Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje të gjitha palëve që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të përshpejtuar përparimin në këto fusha.
/RTK/