Ban Ki-moon mbështet zhvillimet pozitive në Kosovë
New York, 14 maj Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot në New York Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.
Në këtë takim Ministri Hoxhaj ka informuar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për shtetndërtimin e suksesshëm të Kosovës.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për progresin e Kosovës në vitet e fundit.
Unë mbështes zhvillimet pozitive në Kosovë, ka thënë Ki-moon. Ministri Hoxhaj po ashtu ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm për zgjedhjet e fundit dhe krijimin e një Qeveri shumetnike dhe profesionale.
Pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe dhe stabilitet në rajon. Në tri vjetet e fundit Republika e Kosovës ka implementuar pakon e presidentit Ahtisarit, i cili ka qenë i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm si dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka thënë Hoxhaj.
Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka ngritur edhe çështjen e veriut të Kosovës. Atje ka nevojë për sundim të ligjit dhe shpërbërjen e menjëhershme të strukturave paralele të Serbisë. Institucionet paralele të Serbisë që vazhdojnë aktivitetet e tyre në disa pjesë të Kosovës janë ilegale edhe sipas vendimeve të vet Këshillit të Sigurimit, ka ritheksuar Hoxhaj.
Në këtë takim është diskutuar edhe për mundësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në institucione politike, financiare, kulturore dhe sportive ndërkombëtare, për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, për sfidat që ka në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe për rrugën që po bënë në procesin e integrimeve evropiane.
Ministri Hoxhaj ka potencuar synimet e Republikës së Kosovës për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.