Ban Ki Moon i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës
New York, 22 prill - Sekretari i Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, i shfaq shqetësimin mbi mundësinë e ngritjes së tensioneve në veri. Raporti i tij përfshin periudhën 15 dhjetor -15 mars dhe ka të bashkangjitur edhe aneksin mbi punën e EULEX-it.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-u, vazhdon të jetë unik në ndihmën e dialogut midis komuniteteve, thuhet në raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki Moon, i cili shfaq shqetësimin mbi mundësinë e ngritjes së tensioneve në veri. Shefi i organizatës botërore në raportin që u dha edhe zyrtarisht në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës për kujdes ndaj zbatimit të strategjisë së re, duke shtuar se ajo ka nxitur reagime nga të gjitha palët dhe i ka dhënë një dinamikë diskutimeve për veriun.
Jam i shqetësuar nga mundësia e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës poqese autoritetet e Prishtinës nuk e zbatojnë strategjinë e tyre në mënyrë transparente, në dialog me komunitetet lokale dhe me palët e tjera relevante, thotë ai.
Në pikën 14 të raportit, Ban nënvizon se në strategjinë për Veriun autoritetet e Kosovës, nuk kanë konsultuar UNMIK-un as në hartimin as në zbatimin e planifikuar.
Rreth zhvillimeve dhe bashkëpunimit rajonal, Ban inkurajon Prishtinën dhe Beogradin që të tregojnë më shumë fleksibilitet duke u përqëndruar në objektivin e avancimit të interesave të përbashkëta për rezultate praktike, pavarësisht çështjes së statusit. Ai kërkon nga të dyja palët që të kenë një qasje pragmatike rreth pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare duke nënvizuar se ky bashkëpunim është elementi kyç në avancimin e perspektivës evropiane për rajonin.
Raporti i Sekretarit Ban përfshin periudhën 15 dhjetor -15 mars dhe ka të bashkangjitur edhe aneksin mbi punën e EULEX-it. Ende nuk është caktuar një datë e shqyrtimit të raportit nga ana e Këshillit të Sigurimit.