Ban Ki-Moon i kënaqur me dialogun Kosovë-Serbi
Prishtinë, 5 maj - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të shfrytëzojnë dialogun për të gjetur zgjidhje për problemet në veri të Kosovës. Shefi i OKB-së ka përgatitur raportin e rregullt për Kosovën drejtuar Këshillit të Sigurimit.
Raporti, u është shpërndarë të mërkurën shteteve anëtare të Këshillit ku është pasqyruar në mënyrë kronologjike zhvillimet në tre muajt e fundit, duke filluar nga çështja e zgjedhjes së presidentit, fillimit të dialogut me Serbinë dhe problemet në veri të Kosovës.
Situata në pjesën e Kosovës ku ende administron UNMIK-u, sipas sekretarit të OKB-së ka qenë e stabilizuar, por e provokuar nga ato që ai i ka quajtur veprime që nga komuniteti perceptohen si të njëanshme.
Veprim i tillë, sipas Ki-Moon janë përpjekjet e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, që të vendosë në veri një strukturë multietnike të policisë. Por UNMIK-un dhe sekretarin e OKB-së e ka shqetësuar edhe më shumë një veprim tjetër në veri, e ku ka marrë pjesë edhe KFOR-i.
Vizita e ish-presidentit Pacolli, siguria e të cilit u ofrua nga KFOR-i, duket të mos u ketë pëlqyer liderëve të serbëve lokalë, e as UNMIK-ut. Liderët e komunitetit janë ankuar se duke bërë kështu, KFOR-i ka humbur paanshmërinë dhe aderimin e vet në Rezolutën 1244, shkruan sekretari i OKB-së.
Sekretari i përgjithshëm bën thirrje pastaj në pjesën ku jep konkluzionet e tij, që të hiqet dorë nga veprimet e njëanshme.
Shefi i OKB-së është shprehur i kënaqur për nisjen e dialogut të shumëpritur mes Prishtinës e Beogradit. Shpresoj që dialogu të krijojë forumin e duhur për të zgjidhur problemet në veri të Kosovës, ka thënë ai. Jam i inkurajuar nga vullneti pozitiv i treguar nga palët deri më tani, ka shtuar Ban Ki Moon.
Ai po ashtu shpreh gatishmërinë e UNMIK-ut që të bashkëpunojë në çfarëdo hetimi që bëhet për akuzat e Dick Martyt.
Në fund, shefi i OKB-së i kërkon komunitetit ndërkombëtar që të japë ndihmë konkrete financiare për Komisionin për Rindërtim dhe Zbatim, i cili udhëhiqet nga UNMIK-u dhe merret me trashëgiminë kulturore e fetare në Kosovë. Nëse nuk do të ketë këtë mbështetje, ky komision, sipas tij, do të duhet të ndalë punën e vet deri në fund të vitit 2011.