Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian

Sofie, 14 tetor - Bullgaria, Greqia dhe Rumania propozuan të enjten hartimin e një strategjie që synon përshpejtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, njoftoi Ministria e Jashtme bullgare.
"Bullgaria, Greqia dhe Rumania propozuan hartimin e një strategjie të BE-së për Ballkanin Perëndimor me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të tyre", bëhet e ditur në një deklaratë për shtyp të ministrisë.
Tre vendet propozojnë kryesisht realizimin e më tepër projekteve europiane në rajon dhe promovimin e bashkëpunimit transkufitar në drejtim të infrastrukturës, energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Nisma synon gjithashtu një administrim më të mirë të fondeve europiane.
Ministrat e Jashtëm të tre vendeve i dërguan sot një letër komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, dhe komisionerit për Politikën Rajonale, Johannes Hahn, për prezantimin e strategjisë së tyre.