Azilkërkuesit shqiptarë alarmojnë Gjermaninë
Berlin, 11 prill - Viti 2014 nisi me një \"nivel alarmues\" të aplikimeve për azil në zonën Schengen nga pesë vendet e Ballkanit përfituese të regjimit pa viza.
Misioni FRONTEX i raportoi Këshillit në Mars për një rritje të kërkesave prej 193% krahasuar me vitin e kaluar.
Gjermania mbetet destinacioni kryesor, duke trajtuar 89% të azilkërkuesve nga Ballkani, e ndjekur nga Suedia, Belgjika, Luksemburgu dhe Zvicra.
Sipas raportit të siguruar nga TCH, shqiptarët regjistruan në Gjermani përqindjen më të lartë të azilkërkuesve, 1032% krahasuar me janarin e një viti më parë.
Ndërkohë që me shifra, siç përcakton dhe raporti i 38 i Varshavës, Serbia kryeson grupin e azilkërkuesve ballkanas me 1914 aplikime, pasuar nga Maqedonia me 806 kërkesa dhe Bosnja me 689, ndërsa Mali i Zi renditet i fundit me 91 kërkesa për azil këtë fillimviti.
Për 5 javët e para numërohen gjithsej 553 aplikime nga shtetas shqiptarë, ku 419 raste rezultojnë në Gjermani, 80 në Suedi, 12 në Luksemburg, çfarë shënon 500% rritje të kërkesave.
Ndërsa vërehet një ulje në Belgjikë, vetëm 39 aplikime, si dhe në Zvicër, ku u regjistruan 3 azilkërkues që tregojnë zbritje prej 80% të kërkesave krahasuar me janarin e vitit 2013.
Ndërkohë, për të njëjtën periudhë, azili u është refuzuar 228 shqiptarëve, ku 81 prej tyre janë kthyer me forcë në atdhe, ndërsa 147 të tjerët në mënyrë vullnetare.