22 Dhjetor 2024

Azilkërkuesit nga Maqedonia nuk do të njihen si refugjatë politikë

Bruksel, 3 mars – Sekretari belg i shtetit për azilin dhe emigracionin, Melchior Whatelet, rrëfen për Alsat M se fillimisht është befasuar kur ka dëgjuar për fluksin e azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia pasi kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë në të kaluarën me vende më të cilat ishin hequr vizat, por edhe me faktin që ky fenomen po ndodhte vetëm në Belgjikë.


“Pas befasisë u përpoqëm të kuptojmë dhe më pas u xhindosa. U zemërova shumë sepse kuptuam që ky fluks bazohej mbi informacione të rrejshme, mbi fushata informatash pranë popullatës në Maqedoni të cilëve iu shpjegohej se po të vinin në Belgjikë do të përfitonin shtëpi dhe para, pra mbi bazën e informacioneve krejtësisht të pavërteta”, tha Melchior Whatelet, Sekretari belg i shtetit për azilin dhe emigracionin.


Whatelet i cilësoi të papranueshme këto mashtrime pasi përveç zhgënjimit të vetë personave të manipuluar ajo që ka ndodhur rrezikoi edhe marrëdhëniet e mira të Belgjikës me vendet nga ku vijnë azilkërkuesit. Ndërsa numri i këtyre të fundit është ulur, i pyetur nga Alsat M se a kanë shanse për të përfituar azil ato persona që kanë aplikuar sekretari belg i shtetit përgjigjet.


“Jo, natyrisht që jo. Duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë konkretë. Përballemi me një fluks masiv kur shohim se për muajt e janarit dhe të shkurtit kemi kapërcyer shifrat e të gjithë vitit të kaluar. Këta persona kërkojnë azil por natyrisht që nuk do të njihen si refugjatë politikë dhe procedura do të zhvillohet shumë shpejt në mënyrë që të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Kthimi do të bëhet shumë shpejt pasi nuk ka arësye për të ndjekur procedura të gjata. Duhet që këta persona që vijnë në territorin belg, fatkeqësisht për ta, pasi janë ata viktimat e para e këtë duhet ta themi, pasi janë manipuluar në vendin e tyre të origjinës. Ata janë këtu por duhet t’ju themi shumë shpejt që nuk mund të qëndrojnë këtu. Pra janë ata viktimat e para të këtij mashtrimi por është më mirë të sqarojmë situatën shumë shpejt për t’ju thënë se nuk mund të qëndrojnë në Belgjikë e se duhet të kthehen në vendet nga vijnë”, tha Melchior Whatelet, Sekretari belg i shtetit për azilin dhe emigracionin.


Meqenëse Belgjika do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti, pas spanjollëve, i pyetur se a do të ndikojë ky fenomen për rikthimin e regjimit të vizave, Whatelet tregon se kjo gjë nuk do të ndodhë, madje ai shton se edhe për ata persona që kanë aplikuar për azil, por që e ndërpresin në kohë këtë kërkesë nuk do të rrezikohet lëvizja e lirë në Shengen.


“Kjo që ka ndodhur nuk ka lidhje fare me liberalizimin e vizave. Dikush, nga Maqedonia për shembull, mund të vijë në Belgjikë pa vizë për të vizituar vendin disa ditë dhe për tu kthyer në vendin nga vjen. Nuk vihet në pikëpyetje liberalizimi i vizave madje Belgjika është një vend i mrekullueshëm dhe njerëzit që do vinë si turistë do të kalojnë pushime të shkëlqyera. Por sigurisht, ajo që nuk mund të bëhet është që të abuzohet me procedurat belge, në veçanti me procedurat për azil, pasi kjo është krejtësisht e papranueshme. Për azilkërkuesit, nëse ata e kuptojnë shumë shpejt këtë gjë dhe kthehen në vendet nga vijnë qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë persona që kanë qenë viktima të manipulimit”, u shpreh Sekretari belg i shtetit për azilin dhe emigracionin, Melchior Whatelet.


Sipas sekretarit belg të shtetit nëse autoritetet në Maqedoni informojnë siç duhet qytetarët në mënyrë që ky fenomen të mos vazhdojë atëherë Belgjika nuk ka arsye pse të vërë në pikëpyetje rikthimin e regjimit të vizave. Për tu siguruar mbi fushatat e sensibilizimit Melchior Whatelet do të vizitojë personalisht Kumanovën dhe Likovën, por edhe fshatrat e jugut të Serbisë gjatë vizitës së tij në Maqedoni dhe Serbi me 8 dhe 9 mars kur do të shoqërojë kryeministrin belg Yves Leterme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)