Austriakët me peticion për largim nga BE-ja
Vjenë, 24 qershor - Kundërshtarët e anëtarësimit të Austrisë në Bashkimin Evropian (BE) kanë iniciuar një peticion për tërheqjen e vendit nga Bashkimi Evropian (BE).
Qytetarët me të drejtë vote nga sot deri më 1 korrik do të mund ta nënshkruajnë peticionin.
Peticionin e ka nisur Inge Rauscher, e cila edhe në vitin 2000 ka nisur peticionin të cilin në atë kohë e nënshkruan vetëm 3,35 për qind të votuesve. Rauscher e ka kundërshtuar anëtarësimin e vendit të saj në BE. Ajo në vitin 1994 ka mbledhur 3.392 nënshkrime për ngritjen e padisë kundër referendumit për anëtarësimin në BE.
Vitin e kaluar ajo ka mbledhur 9.971 nënshkrime që është mjaftueshme për nisjen e peticionit aktual me kërkesën që parlamenti ta sjellë vendimin për tërheqjen e Austrisë nga BE-ja. Të drejtën për ta nënshkruar peticionin e kanë rreth 6,4 milion votues të Austrisë. (AA)