Ashton: Thaçi dhe Tadiqi do të caktojnë se kur do të fillojë dialogu
Bruksel, 28 tetor - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Catherine Ashton sot deklaroi se datën për fillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe temat të cilat do jenë në rend dite duhet t\'i përcaktojnë kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Boris Tadiq.
\"Thaçi dhe Tadiqi ende nuk janë të gatshëm për këtë\", tha Ashton, duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti në Këshillin për punë të jashtme të Parlamentit evropian.
Ajo tha se BE-ja është e interesuar për temat praktike, të cilat do ta përmirësonin jetën e përditshme të njerëzve.
\"Sa larg do të shkohet dhe cilat tema do të hapen varet nga ajo që do ta arrijmë në fillim të këtij dialogu\", tha Ashton.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe të sigurisë para Këshillit të PE-së iu përgjigj edhe pyetjeve për procesin paqesor në Lindjen e Afërt, gjendjen në Afganistan, luftën kundër piratëve në Gjirin e Adenit, programin bërthamor iranian dhe për marrëdhëniet partnere të Evropës me Kinën, SHBA-në dhe Rusinë.
Të rinj nga Kosova dhe Serbia filluan debat në Beograd
- Derisa Serbia dhe Kosova përgaditen për bisedime me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, një grup i të rinjve filluan dialog publik.
Në debatin në Beograd pesë serbë dhe pesë mysafirë të tyre nga Kosova biseduan për çështje të ndryshme, prej problemeve në jetën e përditshme deri në politikë.
Organizatorët e diskutimit - Iniciativa rinore për të drejta e njeriut, sqaruan se ideja është të vendoset komunikim ndërmjet të rinjve nga Serbia dhe Kosova, të cilët janë ndarë nga lufta.
\"Dialogu është mënyra e vetme që të rrëzohen muret, të cilat mbetën pas luftës mes Serbisë dhe Kosovës në periudhën 1998-1999\", thanë pjesëmarrësit në diskutimin.