Ashton sot paraqet raportin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Bruksel, 17 dhjetor - Përfaqësuesja e lartë e BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, paraqet sot para Këshillit të Ministrave raportin për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, midis Kosovës dhe Serbisë.
Ajo e ka cilësuar si mbresëlënës përparimin në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe ka bërë thirrje që me Serbinë të hapen negociatat e anëtarësimit në BE.
E impresionuar jam me progresin e bërë dhe me përkushtimin që ekziston tek dy kryeministrat, ka thënë Ashton para gazetarëve. Ajo ka konfirmuar se para ministrave ka thënë se shpreson se ata do miratojnë nisjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, ndërkohë që do vazhdohet me negociatat e stabilizim asociimit me Prishtinën.
Të arriturat në dialog, sipas shefes së diplomacisë evropiane janë impresive. Në disa fusha, pohoi ajo, madje ka pas përparim shumë më shpejtë se sa që kemi pritur.
Duke iu referuar raundit të fundit të dialogut të premten që shkoi i cili rezultoi pa marrëveshje konkrete në mes të dy kryeministrave, Ashton vlerësoi se aktualisht po punohet në finalizimin e detajeve rreth sistemit juridik.
Ministrat pritet të përshëndesin hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën dhe tiu bëjnë thirrrje autoriteteve kosovare që të bëjnë më shumë për të përmbushur kushtet që nevojiten për të përmbyllur këto negociata.
Nga Kosova pritet të kërkohet që të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të kryejë rerformën zgjedhore, në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Ministrat diskutojnë sot për procesin e zgjerimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.