Ashton nuk viziton gjatë muajit mars Kosovën
Bruksel, 22 mars - Me gjithë paralajmërimet zyrtare, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nuk do të vijë për vizitë në Kosovë gjatë muajit mars.
Më 18 mars, disa media në Kosovë e patën cituar zëvendëskryeministren e Kosovës, njëherësh shefe e delegacionit kosovar për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, duke paralajmëruar njëvizitë të baroneshës Catherine Ashton në Kosovë, në kuadër të një turi që ajo do t`i bënte rajonit.
Sipas zëvendëskryeministres Tahiri, gjatë kësaj vizite që do realizohej në fund të muajit mars, "kryediplomates evropiane do t`i kërkohej të bëjë të qartë axhendën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë". Ky dialog tashmë ka filluar zyrtarisht në Bruksel për tema që Qeveria e Kosovës i ka quajtur teknike, ndërsa Beogradi këmbëngul se dialogu më vonë do ketë edhe tema që prekin sovranitetin e Kosovës.
Zëdhënësja e kryediplomates evropiane, Maja Kocijancic, ka deklaruar se baronesha Ashton do ta vizitojë patjetër rajonin dhe Kosovën, por kjo me siguri se nuk do të ndodhë gjatë muajit mars.
Në fakt, Kocijancic kujtoi se logjikisht nuk do të kishte kuptim që "nëse rundi i dytë i dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet në fund të marsit, atëherë edhe Ashton nuk do të kishte arsye ta vizitonte Kosovën pikërisht në atë kohë".
"Baronesha Ashton pa dyshim që do ta vizitojë rajonin, por për këtë ende nuk ka një datë të caktuar saktësisht kur do të realizohet kjo vizitë, por me siguri jo në muajin mars", tha Kocijancic.
Lajmi që kryediplomatja evropiane do ta vizitojë Kosovën në fund të marsit, ndërkaq është bërë publik prej shefes së delegacionit kosovar për dialogun me Serbinë, zyra e
kësaj të fundit nuk ka qenë e informuar që Ashton nuk do të vijë në Kosovë në mars.
Ndërkohë një zyrtar i afërt me zëvendskryeministren Tahiri i tha gazetës se "plani për vizitën e Ashtonit në rajon mund të ketë ndryshuar për shkak të sulmeve të forcave të koalicionit kundër regjimit të Moamer Gadafit".
Ky sqarim për zëdhënësen e Ashtonit mund të jetë i qëndrueshëm pasi "axhenda e kryediplomates evropiane jo pak ndikohet edhe nga temat që janë në fokus ndërkombëtar dhe se normalisht kohëve të fundit vëmendja ka qenë e përqendruar në ngjarjet që po zhvillohen në Libi".
Sipas zëdhënëses së Ashtonit, Maja Kocijancic, gjatë vizitës së kryediplomates evropiane në rajon, e cila nuk dihet saktë se kur do të realizohet, përveç Prishtinës dhe Beogradit në axhendë mund të jenë edhe Tirana dhe Sarajeva, megjithëse kjo agjendë ende nuk është përfundimtare.