Ashton nuk e synon arritjen e marrëveshjes finale më 9 prill
Bruksel, 5 prill - 9 Prilli nuk do të shënojë fundin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se kjo e fundit do të pranojë zgjidhjen e propozuar nga baronesha Catherine Ashton për tri tema, në të cilat palët kanë diskutuar në raundin e shkuar në Bruksel për asociacionin e komunave me shumicë serbe, për drejtësinë dhe për policinë.
Në të kundërtën, procesi do të përjetojë fundin këtë ditë, shkruan Koha Ditore.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, që është edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë dialog, e ka paralajmëruar këtë të enjten. Ai i ka thënë Kohës Ditore se në një fazë të mëvonshme është paraparë të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, së cilës do ti bashkëngjiteshin si anekse marrëveshjet për secilën temë që palët janë pajtuar.
Mirëpo, që të mund të punohet në draftin e kësaj marrëveshjeje finale, duhet që në fillim të javës Serbia ti thotë po propozimit për të tria temat, sikur që është e gatshme Kosova ta bëjë.