Ashton nesër prezanton raportin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Prishtinë, 16 dhjetor - Përfaqësuesja e lartë e BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, në fillim të mbledhjes së Këshillit për Çështje të Përgjithshme, do të paraqesë nesër raportin e hollësishëm mbi përparimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar po prej saj.
Këtë raport ajo do ta paraqesë para shefave të diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas paralajmërimit, ajo do të propozojë edhe kornizën negociuese ndërmjet dy vendeve.
Shefat e diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian, gjatë takimit dy ditor, që do të nisë nesër, do të diskutojnë edhe rreth raportit mbi punën e EULEX-it në Kosovë, po ashtu dhe rreth saktësimit të datës për fillimin e negociatave midis Serbisë e BE-së.
Mediat e Beogradit raportojnë me optimizëm se pavarësisht nga rrjedha e bisedimeve me Kosovën, Serbisë do ti caktohet data e fillimit të negociatave për aderim në BE.
Raporti i Ashton-it smund të jetë ideal nëse nuk arrihet marrëveshja me Prishtinën rreth gjyqësorit në Kosovë, por nuk do të jetë negativ, sepse pala serbe nuk është fajtore për mungesën e marrëveshjes, -është shprehur, disa ditë më parë, kryeministri serb, Ivica Daçiç.
Vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së do të komunikohet zyrtarisht të martën, por atë duhet ta konfirmojnë edhe shefat e shteteve anëtare të BE-së.