Ashton me 27 maj do të vizitojë Kosovën
Prishtinë, 21 maj - Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton më 27 maj do të vizitojë Kosovën, ndërsa temë e bisedimeve do të jenë reformat evropiane dhe dialogu me Serbinë.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja, Maja Kocijançiq, sipas së cilës baronesha Eshton një ditë para vizitës në Prishtinë do të qëndrojë edhe në Beograd.
Ashton, pritet të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Ajo paraprakisht do të vizitojë Beogradin. Vizita e kryediplomates evropiane, Ashton, në Prishtinë vjen vetëm një javë pas vizitës së presidentit të Komisionit Evropian, Baroso, ndërsa ka për qëllim ti japë mbështetje dialogut teknik të nisur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshje ndërmjet palëve.
Ashton gjatë vizitës do të konfirmojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën, në kohën kur emërimi i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë vuri në pah divergjencat në politikën e bllokut lidhur me prezencën e tij në vendin tonë.