Ashton: Marrëveshja afër, por nuk do të jetë e lehtë
Bruksel, 1 prill - Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka shfaqur të hënën bindjen se marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është afër, por ka tërhequr vëmendjen se arritja e marrëveshjes nuk do të jetë aspak e lehtë.
Besoj se marrëveshja është afër, por kjo nuk do të jetë e lehtë, ka theksuar Ashton në porosinë që gazetarëve ua ka lexuar zëdhënësja e saj, Maja Kocijancic, në prag të raundit të tetë të dialogut Prishtinë-Beograd, që do të mbahet nesër në Bruksel, ndërmjet kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, me ndërmjetësimin e BE-së.
Ashton në porosinë e saj ka theksuar se qysh në takimin e parë Thaçi-Daçiq në zyrën e saj ka parë përkushtimin dhe vendosmërinë e të dyja palëve që të arrihet marrëveshja. Kur e kemi nisur, të gjithë e kemi ditur se kjo do të jetë e vështirë dhe se do të kërkojë udhëheqje të fuqishme politike, ka thënë Ashton.
Shefja e diplomacisë evropiane ka falënderuar partitë në pushtet dhe ato opozitare në Prishtinë dhe Beograd, të cilat deri tashti u kanë ofruar mbështetje kryeministrave dhe ka shfaqur bindjen se këtë mbështetje do tua ofrojnë edhe nesër (e martë).
Besoj se delegacionet që do të vinë nesër, këtë do të bëjnë në frymën e gjetjes së zgjidhjes në interes të popujve të cilët i përfaqësojnë dhe për ardhmëri më të mirë për të gjithë ata. Nuk guxojmë të lejojmë që kjo mundësi të na ikën, ka porositur Ashton.
Kryeministri Thaçi para nisjes në Bruksel ka thënë të hënën se nëse arrihet marrëveshja, do të ndihmojnë në funksionalizimin e shtetit në çdo cep të Kosovës dhe në kuadër të kësaj edhe të integrimit të serbëve në jetën dhe institucionet e Kosovës.
Marrëveshja mund të hapë rrugën për paqe, të mbyllë kapitullin e konfliktit dhe të hapë perspektivën e bashkëpunimit dhe atë të integrimit evropian, ka deklaruar Thaçi.