Ashton: Kosova është një kusht për Serbinë
Beograd, 19 shkurt - Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ua ka tërhequr vërejtjen zyrtarëve më të lartë të Serbisë, se bashkëpunimi i mëtejshëm në Tribunalin e Hagës është kusht themelor për integrimin e këtij shteti në BE. Po ashtu ajo ka thënë se Kosova ka ardhmëri evropiane dhe se, "në mënyrë pragmatike", ajo duhet të përfshihet në bashkëpunimin rajonal...
Ashton këto komente i bëri në Beograd, ku qëndroi të enjten pas vizitës në Sarajevë. Kryediplomatja evropiane po ashtu tha se pranimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian "do të marrë kohë".
Ashton tha se, "sfida të rëndësishme ende gjenden para të gjitha vendeve të këtij rajoni, para se ato t'i bashkohen BE-së - dhe në këtë kuadër, ajo theksoi se vendet e Ballkanit duhet ta përmirësojnë bashkëpunimin rajonal dhe t'i zgjidhin mospajtimet kufitare dhe tregtare.
Ashton ka theksuar se dallimet që ekzistojnë rreth Kosovës nuk duhet të ngadalësojnë zgjidhjet e problemeve aktuale.
"Kosova duhet të bëhet patjetër partner në bashkëpunimin rajonal", ka thënë Ashton, duke shtuar se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të vendeve anëtare, BE si tërësi e shikon rajonin me të ardhme evropiane.
Ndërkohë, në një komunikatë të presidentit serb Boris Tadiç thuhet se në bisedimet me Ketrin Ashton kanë dominuar çështjet e integrimit të Serbisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe situata në Kosovë.
Tadiç ka përsëritur qëndrimin se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, si dhe ka shtuar se "plani për integrimin e veriut të Kosovës" është kërcënim për stabilitetin në tërë rajonin.
Sidoqoftë, Ashton, e cila sot pritet të vizitojë Kosovën, ka theksuar se, "ne e dimë se ku dëshirojmë të përfundojmë - me të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian".