09 Janar 2025

Ashton: Kosova do të flasë vetë në më shumë se 35 forume

Prishtinë, 1 mars - Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Bruksel, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me zëvendëspresidenten e Bashkimit Evropian, përfaqësuesen e lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton me të cilen ka diskutuar për agjendën evropiane të Kosovës, dhe për hapat e mëtejmë për përshpejtimin e kësaj agjende.

Gjatë një konference për shtyp pas takimit,  kryeministri Thaçi ka falënderuar baroneshën Ashton për gjithë kontributin e saj për mbështetjen e agjendës evropiane të Kosovës. Ishte konstatim i përbashkët se e ardhmja e Kosovës dhe e vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal dhe ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, shënojnë një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për Bashkimin Evropian.

“Unë besoj vendosmërisht se hapat që po i bëjmë janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por këta hapa janë të rëndësishëm dhe vendimtarë për perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Republika e Kosovës është krenare që është shtet evropian, dhe është e gatshme të zërë vendin e saj në Bashkimin Evropian, NATO dhe Kombet e Bashkuara” theksoi kryeministri Thaçi.

Thaçi, ka kërkuar një afat kohor se kur Kosova do të marrë zyrtarisht udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe po ashtu, është kërkuar afat edhe për nisjen dhe përfundimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, pjesë e procesit final të marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Shefja për politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, i shprehu mirënjohje kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për marrëveshjen e arritur Kosovë-Serbi, duke e vlerësuar kontributin e kryeministrit Thaçi, vizionin dhe lidershipin e tij.

Baronesha Ashton tha se me këtë marrëveshje, Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale, duke i nënshkruar vetë marrëveshjet e arritura.
 
Duke kujtuar atë që e ka cilësuar marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Ashton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për vizionin dhe lidershipin e tij.

“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t`i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Ashton para gazetarëve në Bruksel.

Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është t`i sjellim palët më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.

“Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së... E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne s`kemi mbaruar ende”, ka thënë baronesha Ashton.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)